Gjirokastër – Virozat e stinës, në Manalat më të prekur grupmoshat mbi 30 vjeç
Gjatë kësaj periudhe në qendrën shëndetësore Manalat në Gjirokastër është vënë re një rritje e numrit të personave që janë paraqitur me viroza të stinës.
Në ditë regjistrohen mbi 10 raste, të cilëve u është dhënë trajtimi i nevojshëm.
Sipas të dhënave, më të prekura kanë qenë kryesisht grupmoshat mbi 30 vjeç.
“Gjatë këtyre ditëve është rritur numri i personave të paraqitur në ambulancë me simptoma të viruseve, si infeksione të sipërme respiratore, grip i lehtë sezonal, infeksione të traktit gastrointestinal dhe te fëmijët me skuqje të lëkurës,” tregon mjekja e qendrës shëndetësore Manalat, Joana Ciko.
Mjekja bën apel për kujdes, duke këshilluar shmangien e grumbullimeve, përdorimin e lëngjeve dhe ndjekjen e këshillave mjekësore për të shmangur komplikacionet.
“Lani duart sa më shpesh, shmangni prekjen e fytyrës me duart të pista, konsumoni sa më shumë lëngje dhe fruta të freskëta, qëndroni në ambiente të hapura dhe larg personave që shfaqin simptoma, dhe forconi imunitetin duke përdorur vitaminë C e suplemente të tjera, të cilat mbështesin imunitetin,” këshillon Dr. Ciko.
Autoritetet shëndetësore nënvizojnë se parandalimi dhe kujdesi i shtuar mbeten mënyrat më efikase për të kaluar pa pasoja këtë periudhë të virozave stinore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




