Gjirokastra përmes udhërrëfyesve turistikë/Jona Nikolla, prej dy vitesh shoqëron turistët në qytetin e gurtë

Turizëm | 29 minuta më parë

Jona Nikolla, nga Saranda, prej dy vitesh punon si guide turistike, duke shoqëruar grupe vizitorësh në destinacionet turistike të jugut. Gjirokastra është një prej qyteteve ku ajo sjell turistët për të zbuluar nga afër historinë, arkitekturën dhe monumentet e qytetit të gurtë.

“Unë banoj në Sarandë dhe, duke parë zhvillimin që ka pasur turizmi kohët e fundit, thashë: pse jo? Më pëlqen të jem në kontakt me njerëzit. Studimet i kam kryer për kriminalistikë, diçka ndryshe nga turizmi, por më pëlqen të jem në kontakt me njerëz të ndryshëm dhe me personalitete të ndryshme. Është një punë që e bëj me shumë pasion, e kam shumë për zemër dhe shoh një të ardhme në këtë fushë”, tha ajo.

Pasioni për këtë profesion e ka bërë promovimin e Gjirokastrës një pjesë të rëndësishme të punës së saj, veçanërisht për t’ua përcjellë turistëve të huaj historinë dhe veçantinë e këtij qyteti.

“Vendet që ne vizitojmë janë kalaja, e cila është kryesorja, pazari i vjetër dhe xhamia. Gjithashtu, kemi edhe opsione të tjera që ofrojmë gjatë turit, si muze të ndryshme, pasi Gjirokastra është shumë e njohur për muzetë që ka. Mund të vizitojmë edhe tunelin e Luftës së Ftohtë ose bunkerin bërthamor”, tha Nikolla.

Përmes guidave turistike, historia dhe trashëgimia e Gjirokastrës bëhen pjesë e eksperiencës së vizitorëve, duke e kthyer çdo ndalesë në një mundësi për të njohur më nga afër kulturën dhe identitetin e qytetit.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme