GJKKO shkresë KLGJ-së dhe Ministrisë së Drejtësisë: Bojkoti i avokatëve po paralizon gjyqësorin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendit të Shqipërisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, ku parashtron situatën kritike të krijuar nga bojkoti kolektiv i avokatëve.
Në shkresën e saj Gjykata e Posaçme bën me dije se nga data 1 shtator 2026 e deri më sot, si pasojë e bojkotit të shpallur nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, nga 462 seanca gjyqësore të planifikuara pranë kësaj Gjykate, janë zhvilluar vetëm 24 prej tyre. Nga ana tjetër, shkaku i deklaruar nga organet e avokatisë për ndërprerjen e pjesëmarrjes në seanca është neni 76 i rregullores së re të GJKKO-së i cili ndalon mbajtjen dhe përdorimin e aparateve celulare gjatë seancave gjyqësore.
Gjykata e Posaçme sqaron se kjo masë ka karakter organizativ dhe sigurie, si dhe zbatohet njëlloj ndaj të gjithë pjesëmarrësve – përfshirë vetë gjyqtarët, prokurorët, palët, median dhe publikun.
GJKKO nënvizon se godina është objekt me rëndësi të veçantë e ruajtur nga Garda e Republikës, ku gjykohen dosje të krimit të organizuar e korrupsionit të nivelit të lartë, e ku në të njëjtën sallë ndodhen njëkohësisht drejtues organizatash kriminale, dëshmitarë të mbrojtur dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë. Bojkoti pa afat dhe goditja mbi masat e sigurimit.
Bojkoti i shpallur fillimisht më 8 shtator 2026 u përshkallëzua me vendimin e 23 shtatorit të Dhomës së Avokatisë, duke u shtrirë pa afat edhe mbi seancat e vlerësimit të arrestit dhe masave të sigurimit personal.
Gjykata e Posaçme thekson se ky përshkallëzim prek drejtpërdrejt lirinë personale dhe afatet kushtetuese të paraburgimit.
Sipas dokumentit, deri në momentin e hartimit të shkresës, trupat gjykues kanë dhënë 51 urdhra gjobitjeje ndaj mbrojtësve (në vlera nga 5 000 deri në 100 000 lekë) për mungesa të pajustifikuara.
Shkrese Drejtuar KLGJ-se 14102026
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




