Gomonia mbeti në det me karburant të pamjaftueshëm, si u shpëtuan 11 emigrantët nga Roja Bregdetare dhe Guardia di Finanza

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një operacion i përbashkët i Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza ka bërë të mundur shpëtimin e 11 emigrantëve, të cilët rrezikonin të mbyteshin në det pranë ishullit të Sazanit, në Vlorë.

Sipas Policisë së Shtetit, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë u vunë në lëvizje menjëherë pasi, rreth orës 07:30 të mëngjesit të së premtes, morën një telefonatë nga një numër grek, përmes së cilës njoftoheshin se disa emigrantë ndodheshin në vështirësi në det, në veri të ishullit të Sazanit.

Pas koordinimit me Rojen Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), autoritetet lokalizuan gomonen dhe nxorën në breg të 11 emigrantët, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore.

Hetimet paraprake kanë treguar se emigrantët udhëtonin me një gomone të vogël, rreth 3 metra të gjatë, e pajisur me motor 25 kuaj fuqi, ndërsa në serbator kishte një sasi të pamjaftueshme karburanti, çka i kishte lënë të bllokuar në det dhe në rrezik për jetën.

NJOFTIMI I POLICISË

Ishulli i Sazanit, Vlorë/ Rrezikuan të mbyteshin, pasi lëviznin me një gomone të vogël dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti, shërbimet e DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u shkuan në ndihmë 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.

Të gjithë emigrantët u nxorën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, menjëherë pas marrjes së kërkesës për ndihmë, përmes një telefonate nga një numër grek, rreth orës 07:30 të ditës së sotme, se disa emigrantë rrezikonin të mbyteshin në det, në veri të ishullit të Sazanit, u nisën drejt zonës së sinjalizuar.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u bë i mundur lokalizimi i gomones në hapësirën detare dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.

Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se mjeti lundrues ishte një gomone me përmasa të vogla (rreth 3 metra me motor 25 KF), me sasi të vogël dhe të pamjaftueshme karburanti në serbator.

Gjithashtu, nga monitorimi i hapësirës detare me radarë rezulton se gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë tentativë të mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.

Grupi i posaçëm hetimor, i ngritur për këtë rast, vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme