Greqia miraton punën 13 orë në ditë, ligji i ri lejon orë shtesë me pagesë 40% më shumë, vetëm me dëshirën e punonjësit

Parlamenti grek votoi këtë të enjte një projektligj të diskutueshëm që lejon në kushte të caktuara, një ditë pune 13-orëshe. Legjislacioni u miratua nga shumica qeveritare me 158 vota në parlamentin me 300 vende. Kundër ishin 109 vota, ndërsa opozita e majtë, SYRIZA, refuzoi të merrte pjesë në votim.
Qeveria konservatore e Mitsotakis e quan atë një reformë që promovon “punë të drejtë dhe fleksibile për të gjithë”, por sindikatat greke e konsiderojnë ligjin si legjitimimin e “skllavërisë së paguar “. Ligji parashikon që punonjësit mund të shtojnë pesë orë pune mbi orarin normal për një pagë 40% më të lartë. Kjo është e vlefshme vetëm për 37 ditë në vit dhe vetëm me pëlqimin e punonjësit. Sindikatat paralajmërojnë se kjo reformë rrezikon shëndetin dhe jetën familjare të punëtorëve.
Dy greva të përgjithshme janë mbajtur këtë muaj në Athinë dhe qytete të tjera, ku protestuesit mbanin pankarta që thoshin se të drejtat po kthehen në Mesjetë. Presidenti i Syriza-s, Sokratis Famellos, deklaroi se grekët punojnë më shumë se çdo vend tjetër në BE, por marrin më pak.
Kreu i PASOK-ut, Nikos Androulakis, tha se qeveria po shkatërron sistematikisht të drejtat e punëtorëve. Nga ana tjetër, ministri Kerameos tha në parlament se ligji nuk prek orarin zyrtar të punës dhe se zgjatimi është i kufizuar. Ai shtoi se shumë punonjës do të kenë mundësi të fitojnë më shumë pa nevojë të ndjekin dy punë njëkohësisht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




