Greqia në alarm nga moti i keq/ Gazetarja nga Athina: Mbyllen shkollat, ndikim dhe tek emigrantët shqiptarë
Greqia është vënë në gatishmëri këtë të mërkurë, pas lëshimit të “alarmit të kuq” nga autoritetet për shkak të një përkeqësimi të kushteve atmosferike. Reshjet intensive dhe stuhitë e forta kanë detyruar Mbrojtjen Civile të marrë masa në një pjesë të madhe të vendit.
Në një lidhje direkte nga Athina për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun, gazetarja Nilda Baxha përshkroi situatën në kryeqytetin helen. Sipas saj, qytetarët janë njoftuar përmes sistemeve të emergjencës. “Ne të gjithëve nëpër celularët tanë na erdhi alarmi me kodin 112 për të pasur kujdes. Këto janë masa parandaluese që qeveria ndërmerr”, u shpreh Baxha.
Megjithëse mëngjesi nisi me reshje të lehta shiu, parashikimet mbeten alarmante për orët në vijim. Gazetarja raporton se zonat më të prekura janë Athina, Greqia Qendrore dhe Maqedonia Perëndimore.
Autoritetet kanë njoftuar mbylljen e shkollave për dy ditë, duke e kaluar mësimin në platformat online, si dhe kanë pezulluar punën në administratën shtetërore dhe në portet kryesore, veçanërisht në ishujt Kefalonia dhe Poros.
Pavarësisht masave, Baxha vuri në dukje vështirësitë që kjo situatë krijon për komunitetin, sidomos për emigrantët shqiptarë. Ajo e konsideroi mbylljen e shkollave si një vendim që rëndon familjet punëtore. “Kjo për arsye se prindërit nuk kanë ku t’i lënë fëmijët e tyre. Jo të gjithë kanë mundësi sepse punojnë. Sidomos ne emigrantëve na prek në mënyrë të veçantë”, theksoi ajo, duke shtuar se procesi i punës në sektorin privat nuk është anuluar. “Në aktivitetet ndërtimore nuk mund të punojë njeri nëpër tarraca, por në ambiente të mbyllura puna vazhdon normalisht”.
Prej kushteve ekstreme të motit, greva e fermerëve dhe blegtorëve, e cila ka hyrë në ditën e saj të 53-të, është pezulluar përkohësisht. “Pas dy diskutimeve që janë bërë me një përfaqësi me 25 persona me kryeministrin Mitsotakis, mendohet që pas përmirësimit të motit greva të vazhdojë ditën e premte. Është hedhur hipoteza e një tubimi të madh në qendër të Athinës”, raportoi gazetarja duke nënvizuar se kjo është hera e parë që ka një reagim kaq masiv.
“Bashkë me fermerët janë bashkuar dhe blegtorët. Ditëve të fundit janë afruar bletërritësit dhe prodhuesit e ullirit. Nga përkeqësimi i motit është kjo pjesë e shoqërisë që dëmtohet më tepër”.
Autoritetet vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, pasi sasia e reshjeve pritet të arrijë deri në 90 mm, çka mund të shkaktojë përmbytje.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




