Haki Abazi në RTSH 24: Deklaratat e Snezhana Paunoviç është pasqyrë e doktrinës shtetërore serbe

Kosovë | 2 muaj më parë

Në një intervistë për RTSH 24, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Aki Abazi, reagoi ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, duke e cilësuar atë si një pasqyrë të doktrinës së vjetër shtetërore të Serbisë për pastrimin etnik të shqiptarëve.

“Unë jam gjenerata e katërt që ka përjetuar në lëkurën tonë dhunën sistematike dhe strategjinë e qartë të Serbisë për ekzekutimin dhe shfarosjen e shqiptarëve,” tha Abazi.

Ai u shpreh se “Unë jam gjenerata e katërt që ka përjetuar në lëkurën tonë dhunën sistematike dhe strategjinë e qartë të Serbisë për ekzekutimin dhe shfarosjen e shqiptarëve. Çuditërisht, sa herë që ne marrim qëndrim, na etiketojnë si nacionalistë, ndërkohë që faktet historike flasin vetë. Ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitet 1997, 1998 dhe 1999 ka qenë hapur ajo që e thotë zonja ministre Paunovi: një doktrinë strategjike shtetërore e pastrimit të shqiptarëve. Këtë e kemi përjetuar të gjithë shqiptarët e Kosovës, sepse 1.2 milion nga ne janë deportuar, me dhjetëra mijëra janë vrarë dhe me dhjetëra mijëra gra janë dhunuar në luftën e fundit të Serbisë.”

Duke iu referuar dëshmive të gjeneralit amerikan Wesley Clark, ai shtoi se “Millosheviçi ka thënë hapur. ‘Më lejoni disa muaj dhe do ta pastroj Kosovën ashtu siç e kemi bërë në Luftën e Dytë Botërore.’ Kjo është doktrinë shtetërore, jo një incident i izoluar. 1.2 milion nga ne janë deportuar, me dhjetëra mijëra janë vrarë, me dhjetëra mijëra gra janë dhunuar. NATO dhe vendet perëndimore intervenuan për herë të parë në histori për ta ndaluar gjenocidin.”

Abazi solli në kujtesë masakrat historike duke shtuar se,  “Masakra e Tivarit, prerjet masive në Tetovë, eksterminimi i fshatrave shqiptare në Sanxhak, Nish e Pazar i Ri – të gjitha tregojnë se Serbia ka ndjekur me përpikëri një doktrinë shtetërore të shfarosjes së shqiptarëve. Ata që sot njihen si muhaxherë janë pasardhës të atyre që u dëbuan me dhunë dhe u shpërngulën drejt Turqisë.

Ai kritikoi institucionet e Kosovës për mungesën e një narrative të konsoliduar, qw sikurse ai theksoi se “Dështimi ynë është evident. Kjo lejon që ministrat e Serbisë dhe qarqet intelektuale në Beograd të ndërtojnë diskurse që arsyetojnë apetitet nacionaliste. Në vend që të flitet për kërkim faljeje, flitet për ri-paraqitje të fuqishme shtetërore të serbëve.

Sa i takon pajtimit, Abazi u shpreh prerazi, duke shtuar se “Nuk ka pajtim në gjysmë të vërtetën. Nuk ka pajtim kur elita serbe vazhdon të gjenerojë diskursin se shqiptarët nuk meritojnë të jetojnë në Kosovë. Pajtimi do të ndodhë vetëm kur Serbia të kërkojë falje për krimet e bëra, ashtu siç kanë bërë gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Përndryshe, konflikti do të mbetet gjithmonë i hapur.”

 “Ne duhet të dokumentojmë të vërtetën, ta ndërkombëtarizojmë atë dhe ta bëjmë pjesë të kujtesës kolektive. Snezhana Paunoviç ka doktrinën, ne kemi të vdekurit. Nuk e fshijnë dot këtë fakt asnjë deklaratë e asnjë forcë politike.”

Abazi theksoi rëndësinë e edukimit të brezave të rinj qw sipas tij, “Ne nuk kemi shkruar historinë tonë. Është koha e fundit që shqiptarët të ndërtojnë kujtesën kolektive mbi të vërtetën, sepse nuk mund të presim që Europa, NATO apo SHBA të kujdesen përgjithmonë për fatin tonë. Ne duhet të kujdesemi vetë për fatin tonë.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme