Hamza: Fillimisht ligji për Specialen, pastaj zgjedhja e presidentit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se zgjidhja e ngërçit institucional duhet të nisë me miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në të dy leximet.
RTK raporto se para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se pas miratimit të ligjit duhet të propozohet kandidati për president dhe të procedohet zgjedhja e tij, me synimin që vendi të shmangë shkuarjen në zgjedhje të reja.
“Ne po themi të aprovohet ligji në të dy leximet. Pastaj të propozohet emri për president dhe të zgjidhet presidenti, e të shmangen zgjedhjet”, deklaroi Hamza.
Ai theksoi se qëndrimi i PDK-së, sipas tij, nuk lidhet vetëm me interesat e një partie politike, por me interesin institucional të vendit.
“Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së shtoi se nëse subjektet e tjera politike kanë një qasje që çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, përgjegjësia për një zhvillim të tillë, sipas tij, u takon atyre.
Hamza thërret takim të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thirrur për sot, në orën 14:00, një takim të përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Në këtë takim Hamza pritet t’i informojë strukturat e partisë për rezultatet e takimeve me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, me të cilin ka diskutuar për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Pas takimit, pritet të ketë edhe një deklarim të Hamzës për media.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





