Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet në fillim të gushtit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet në fillim të muajit gusht, pasi sikurse theksoi ajo, afati Kushtetues është deri më datë 7 gusht.
Haxhiu shtoi më tej se Kushtetuta i jep Presidentit afat prej 30 ditësh për thirrjen e seancës konstituive dhe se ka vendosur t’u japë hapësirë partive politike për të zhvilluar bisedime. Sipas saj, kjo qasje synon të krijojë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje politike para konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të shmanget zvarritja e procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. E kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin”, tha ajo.
Haxhiu paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat, sipas saj, nuk do të ishin në interes të qytetarëve.
“Askush nuk i do zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës sepse nuk do të zgjidhnin asgjë”, deklaroi Haxhiu teksa vuri theksin te rëndësia e pjesëmarrjes së të gjithë deputetëve në seancën konstituive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




