I bllokuar prej rreth 12 orësh në malin e Çikës në Vlorë, shpëtohet turisti polak

Aktualitet | 2 muaj më parë

Pas rreth 12 orësh i bllokuar në terrenin e vështirë të malit të Çikës, në Vlorë, është bërë e mundur shpëtimi i turistit polak.

Shtetasi polak kishte nisur ditën e djeshme eksplorimin e zonës malore, por gjatë qëndrimit në terren ka pësuar dëmtime dhe nuk ka mundur të vijojë lëvizjen. Për shkak të terrenit të thepisur dhe kushteve të vështira, ai ka mbetur i bllokuar dhe ka kërkuar ndihmë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt zonës u nisën dy grupe kërkim-shpëtimi, të përbëra nga efektivë të Policisë së Vlorës, shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e zonave të mbrojtura. Pas disa orësh kërkime, ekipet arritën ta lokalizojnë turistin dhe nisën operacionin për nxjerrjen e tij nga zona.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për transportimin e tij në rrugë tokësore, u kërkua edhe ndërhyrja ajrore. Operacioni përfundoi me sukses dhe turisti polak u nxor nga zona e rrezikshme, duke iu dhënë ndihma e nevojshme.

Mali i Çikës, me një lartësi prej 2,044 metrash, është një nga zonat më të vështira malore në jug të vendit dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Llogorasë. Gjatë sezonit turistik, zona tërheq turistë të shumtë vendas dhe të huaj, por terreni i vështirë dhe mungesa e orientimit mund të kthehen në rrezik për vizitorët.

NJOFTIMI I POLICISË

Himarë/Përfundon me sukses pas 12 orësh operacioni shumë të vështirë i kërkim-shpëtimit për turistin çek që kishte mbetur i bllokuar në Malin e Çikës

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (FKS), Njësia Fier, strukturat e Emergjencave Civile, Njësinë Alpine dhe Ministrinë e Mbrojtjes, përfunduan me sukses një operacion shumë të vështirë kërkim-shpëtimi për një turist çek, që kishte mbetur i bllokuar në një zonë të thepisur dhe shumë të vështirë të Malit të Çikës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizua operacioni i kërkim-shpëtimit.

Përgjatë 12 orëve, Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, arriti të lokalizojë vendndodhjen e turistit dhe të bashkohej me të.

Për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe pamundësisë së tërheqjes me mjete tokësore, u kërkua ndërhyrja e helikopterit të Forcave të Armatosura, i cili bëri të mundur nxjerrjen e turistit nga zona dhe transportimin e tij në qytet.

Turistit 43-vjeçar iu dha ndihma e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas shpëtimit, turisti falënderoi të gjitha strukturat e angazhuara për ndihmën dhe profesionalizmin e treguar gjatë operacionit.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në çdo rast emergjence, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.

Për çdo rast nevoje për ndihmë, qytetarët dhe turistët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme