I dënuar me 11 vite burg në Itali për trafik droge, arrestohet në Lushnjë 48-vjeçari me dy emra i shpallur në kërkim ndërkombëtar
Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “Fast”, në kuadër të goditjes së personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.
Si rezultat i veprimeve të koordinuara, në Lushnjë u lokalizua, u kap dhe u arrestua përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasi Bledar Buxheli, i njohur edhe me emrin Bledar Çelo, 48 vjeç, banues në Lushnjë.
Sipas Policisë së Shtetit, 48-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Venecias e ka dënuar në vitin 2024 me 11 vjet burgim për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, sipas Kodit Penal italian.
Nga ky dënim, Buxhelit i kanë mbetur për të vuajtur 8 vjet, 6 muaj e 24 ditë burg.
Policia bën të ditur se Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e 48-vjeçarit drejt Italisë, ku ai do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




