Incidenti “gati katastrofal”, Harry dhe Meghan ndiqen me makinë

Botë | 4 vite më parë

Princi Harry, Meghan dhe nëna e saj u përfshinë në një “ndjekje pothuajse katastrofale me makinë” pohoi një zëdhënës i çiftit, njofton BBC.

Në ndjekje ishin përfshirë edhe paparacët. Incidenti ndodhi pasi Duka dhe Dukesha e Sussex morën pjesë në një ceremoni ndarje çmimesh në Nju Jork të martën.

Në një deklaratë, zëdhënësi i tyre tha se “ndjekja me makinë” zgjati për më shumë se dy orë.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur detajet.

Në një deklaratë, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut konfirmoi se kishte ndodhur një incident dhe tha se fotografë të shumtë “e bënë të vështirë transportin e tyre (Harry dhe Meghan)”. 

Nuk raportohet për të lënduar apo të arrestuar, tha policia. 

Buckingham Palace ende nuk ka komentuar.

Ka pretendime se ndjekja përfshinte disa makina që ecnin jashtë rregullave duke përfshirë kalimin nëpër dritat e kuqe, kryerjen e lëvizjeve bllokuese dhe kthimin mbrapsht në një rrugë me një drejtim, si dhe fotografimin gjatë ecjes.

Çifti dhe nëna e Meghan, Doria Ragland, u përpoqën të fshiheshin nga paparacët duke shkuar në një stacion policie në Manhattan.

Nëna e Princit Harry, Princesha Diana, vdiq në një aksident automobilistik të vitit 1997 në Paris, ndërsa ndiqej nga fotografët.

Në një intervistë me BBC-në për dokumentarin “Diana 7 Days”, Princi Harry iu referua paparacëve si “një tufë qensh” që vazhdimisht përndiqnin nënën e tij. 

Princi Harry aktualisht është i përfshirë në mosmarrëveshje të shumta ligjore me shtypin tabloid britanik, duke përfshirë akuzat për hakim të telefonit dhe mbledhjen e paligjshme të informacionit. 

Dyshja u largua nga detyrat mbretërore dhe u transferuan në SHBA në vitin 2020, një lëvizje që ata thanë se ishte pjesërisht për shkak të ngacmimeve nga tabloidët në Mbretërinë e Bashkuar.

Princi Harry e ka përshkruar betejën e tij për të ndryshuar median si “punën e jetës”. Muajin e ardhshëm ai do të paraqitet në një gjykatë në Londër për të dhënë dëshmi në një rast hakerimi telefonik.

( Sipas BBC )


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme