Investime strategjike në veri të Kosovës/Urë e re mbi Ibër dhe investime për sigurinë e kanalit Ibër-Lepenc

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, inspektoi punimet për ndërtimin e urës së tretë mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e cilësuar projektin si një investim të rëndësishëm për zhvillimin dhe sigurinë.
Sipas tij, ura do të jetë 65 metra e gjatë, 22.5 metra e gjerë, me katër korsi, trotuare në të dy anët dhe dy rrethrrotullime, ndërsa projekti përfshin edhe ndërtimin e një segmenti të ri rrugor dhe rehabilitimin e shtratit të lumit.
Kurti deklaroi se synimi është mbrojtja e mjedisit, rritja e sigurisë dhe përmirësimi i infrastrukturës, ndërsa shtoi se punimet po ecin sipas planit dhe ura pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, theksoi se ura do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, do të ndihmojë organet e sigurisë dhe do të krijojë mkundësi të reja për zhvillimin e bizneseve.
Gjatë vizitës në veri, Kurti mori pjesë edhe në përurimin e rehabilitimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit në Zhabar të Zubin-Potokut. Ai e cilësoi projektin si një investim strategjik për sigurinë ujore, duke kujtuar se ky kanal furnizon me ujë termocentralet, tokat bujqësore dhe mbi 500 mijë banorë në nëntë komuna.
Sipas tij, investimi prej 18 milionë eurosh ka rehabilituar segmente kyçe të kanalit, ka ndërtuar një rezervuar emergjent dhe synon të parandalojë rreziqet, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve. Projektet janë pjesë e përpjekjeve për të forcuar infrastrukturën strategjike dhe për të përmirësuar shërbimet për qytetarët në veri të Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




