Kancelari gjerman Merz viziton Kievin, paketë e re ndihme prej 1.35 miliardë eurosh

Europë | 2 orë më parë

Kancelari gjerman Friedrich Merz mbërriti sot në Kiev i shoqëruar nga drejtues të kompanive kryesore gjermane të industrisë së mbrojtjes, në një vizitë që synon të riafirmojë mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën përballë sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës së vendit.

Sipas zyrtarëve gjermanë, Merz pritet të shpallë një paketë të re ndihme që përfshin 1 miliard euro mbështetje ushtarake dhe 350 milionë euro të tjera për riparimin e infrastrukturës energjetike të dëmtuar nga lufta.

Gjatë vizitës pritet gjithashtu të finalizohet një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të disa llojeve të dronëve mes Gjermanisë dhe Ukrainës.

“Udhëtova për në Kiev sot sepse Ukraina ka nevojë për gjithë mbështetjen tonë në javët e ardhshme“, deklaroi kancelari gjerman, duke theksuar se forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytete, ndërtesa banimi dhe termocentrale.

Merz paralajmëroi se pasojat e luftës mund të shtrihen përtej kufijve të Ukrainës nëse Rusia nuk ndalet.

“Nëse nuk e ndalojmë Rusinë, herët a vonë makina e saj e luftës do të kthehet kundër nesh“, tha ai, ndërsa shtoi se do t’i përcjellë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky mesazhin se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën.

Në delegacionin gjerman bëjnë pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, si dhe drejtues të kompanive Siemens Energy, Hensoldt, Diehl Defence dhe Quantum Systems, të cilat pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në projektet e bashkëpunimit me Ukrainën.

Vizita zhvillohet vetëm pak ditë pasi Zelensky njoftoi se Kievi dhe Berlini janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje për zhvillimin dhe prodhimin e përbashkët të dronëve, raketave dhe sistemeve softuerike të lidhura me to.

Sipas presidentit ukrainas, marrëveshja do të përfshijë edhe armë me rreze veprimi mbi 1 mijë kilometra, të cilat Ukraina mund t’i përdorë për të goditur objektiva të vendosura thellë brenda territorit rus.

Burime gjermane bëjnë të ditur se, përveç çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes, Merz pritet të diskutojë me autoritetet ukrainase edhe për përshpejtimin e reformave të kërkuara nga partnerët evropianë, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, një kusht i rëndësishëm në rrugën e afrimit të mëtejshëm të Ukrainës me Bashkimin Evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme