KE thirrje shteteve anëtare: Reduktoni shpenzimet, në 2024 hiqni ndihmën për energjinë që u jepet qytetarëve

Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve të BE-së të reduktojnë shpenzimet e tyre publike për të shmangur nxitjen e mëtejshme të inflacionit, veçanërisht duke hequr gradualisht ndihmën e energjisë që u jepet familjeve.
Ndërsa çmimet e energjisë në tregjet me shumicë janë rikthyer në nivelet e para vitit 2022 pas rritjes spirale pas agresionit rus në Ukrainë, inflacioni bazë për rritjen e çmimeve në sektorin energjetik dhe produkteve ushqimore, ka qenë më i lartë se sa pritej.
“Ndërsa inflacioni total vazhdon të bjerë, inflacioni bazë po rezulton më i qëndrueshëm,” tha Valdis Dombrovskis, nënkryetar ekzekutiv i Komisionit Evropian.
Në mars 2023 inflacioni bazë arriti një nivel rekord prej 7.6%, ndërsa KE shprehet se për të trajtuar rritjen e përgjithshme të çmimeve nuk është e mjaftueshme të mbështetet vetëm tek Banka Qendrore Evropiane, e cila ka reaguar duke rritur normat e interesit për të ulur aktivitetin e investimeve.
“Politika fiskale nuk duhet të kundërshtojë politikën monetare. Prandaj, ne po bëjmë thirrje për një qëndrim më të kujdesshëm fiskal të shteteve anëtare”, shtoi Dombrovskis, raporton Euractiv.
Reduktimi i shpenzimeve publike duhet të ndodhë kryesisht duke hequr gradualisht masat e ndihmës energjetike të marra nga vendet e BE-së për të mbrojtur qytetarët e tyre nga rritja e çmimeve të energjisë pas fillimit të luftës në Ukrainë.
“Si hap i parë, kjo do të thotë që shtetet anëtare duhet të mbyllin masat mbështetëse në lidhje me goditjen e çmimit të energjisë dhe këto kursime duhet të përdoren për reduktimin e deficiteve, jo për më shumë shpenzime,” tha Dombrovskis.
Ajo që nuk duhet të shkurtohet, tha Komisioni Europian, janë investimet publike, të cilat Komisioni i sheh si të nevojshme pasi Evropa dëshiron të arrijë neutralitetin klimatik dhe të përmirësojë konkurrencën e saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




