Kearns: Deklaratat e Paunoviqit, njollë për Qeverinë e Serbisë

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kearns e cilësoi mbështetjen e Paunoviqit për spastrimin etnik si “një njollë për Qeverinë e Serbisë”.
“Mbështetja e turpshme e ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë është një njollë për Qeverinë e Serbisë”, shkroi Kearns.
Ajo theksoi se njerëzit që sot janë në të tridhjetat i kujtojnë ende mizoritë që forcat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit kryen ndaj tyre dhe familjeve të tyre.
“Nuk ka asnjë përpjekje për t’i justifikuar – e aq më pak për t’i lavdëruar – këto krime që mund ta bëjë botën të harrojë atë që ndodhi në Kosovë”, u shpreh Kearns.
Në fund të reagimit të saj, deputetja britanike bëri thirrje që krimet e kryera në Kosovë të mos harrohen, duke përmbyllur postimin me mesazhin: “Mos harroni kurrë”.
Serbian Minister Snezana Paunovic’s disgraceful support for ethnic cleansing in Kosovo is a stain on Serbia’s Government.
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) July 15, 2026
People in their thirties today remember the atrocities committed on them and their families by Milosevic’s forces.
No attempt to justify – or worse –…
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




