Kodi Civil me rregulla të reja, prodhuesit përgjegjës për softuerët dhe sigurinë kibernetike

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 82/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Civil, duke sjellë reformim në rregullat e përgjegjësisë së prodhuesve për dëmet e shkaktuara nga produktet e tyre. Ndryshimet e reja, të cilat përafrojnë legjislacionin shqiptar me direktivat e Parlamentit Evropian, zgjerojnë nocionin e “produktit” duke përfshirë softuerët e skedat digjitale, si dhe forcojnë mbrojtjen e konsumatorëve ndaj produkteve me të meta teknologjike ose kibernetike.
Ligji i ri është shpallur zyrtarisht nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me dekretin nr. 466, dhe pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Mbrojtje e re nga rreziqet digjitale dhe kibernetike
Sipas nenit 4 të ligjit të ri, përkufizimi i një sendi ose produkti me të meta është pasuruar për të përfshirë sfidat e teknologjisë moderne. Një produkt do të konsiderohet i defektuar nëse nuk ofron sigurinë e pritur, duke marrë parasysh jo vetëm karakteristikat fizike, por edhe sigurinë kibernetike, aftësinë e produktit për të mësuar (inteligjencën artificiale) ose ndërveprimin me pajisje të tjera.
“Një send quhet se është me të meta kur nuk jep sigurinë që pritet prej tij, duke pasur parasysh gjithë rrethanat, e në veçanti: efektin në produkt të çdo aftësie për të vazhduar të mësojë ose të fitojë karakteristika të reja pasi të vendoset në treg dhe kërkesat e sigurisë kibernetike që lidhen me sigurinë.”, thuhet në ligjin Nr. 82/2026, Neni 4.
Gjithashtu, përmes ndryshimeve në nenin 631 të Kodit Civil, në kategorinë e produkteve përfshihen tashmë zyrtarisht skedat e prodhimit digjital, lëndët e para dhe programet softuer, duke i bërë zhvilluesit dhe shpërndarësit e tyre drejtpërdrejt përgjegjës për dëmet që mund të shkaktojnë.
Ndalimi i klauzolave përjashtuese dhe ekzekutimi i detyrimeve
Një tjetër pikë kyçe e ndryshimeve ligjore është garancia se përgjegjësia e prodhuesit ndaj personave të dëmtuar nuk mund të shmanget përmes marrëveshjeve private ose klauzolave kontraktuale.
“Përgjegjësia e prodhuesit ndaj personit të dëmtuar nuk mund të kufizohet ose përjashtohet nëpërmjet klauzolave kontraktuale ose me ligj.”, theksohet në nenin 3 të ligjit.
Ndërkohë, ligji sjell rregullime edhe në nenin 463 të Kodit Civil sa i përket detyrimeve financiare. Afatet e ekzekutimit të pagesave monetare dhe lindja e kamatëvonesave në transaksionet tregtare — si mes ndërmarrjeve, ashtu edhe mes bizneseve dhe autoriteteve publike — do të rregullohen në mënyrë specifike sipas ligjit për pagesat e vonuara, në përputhje me standardet e BE-së për luftën kundër vonesave në pagesa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




