Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës, Sunak: Rusia duhet të paguajë

Botë | 3 vite më parë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak ka deklaruar se Rusia duhet të paguajë për dhunën dhe shkatërrimin që ka shkaktuar në Ukrainë.

Në fjalën e tij në konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, Sunak u shpreh Ukraina duhet të mbështetet në mënyrë që të rikuperohet shpejt dhe që të çlirojë potencialin e saj. Sunak tha se konferenca po “mbjell farat e së ardhmes së Ukrainës”.

“Është e qartë se Rusia duhet të paguajë për shkatërrimin që ka shkaktuar. Pra, ne po punojmë me aleatët për të eksploruar rrugë të ligjshme për të përdorur asetet ruse. Dhe të hënën, ne publikojmë legjislacionin e ri për të na lejuar të mbajmë sanksionet në fuqi derisa Rusia të paguajë”, tha Sunak.

Ndërsa Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vuri theksin te nevoja e madhe për rindërtimin e Ukrainës, teksa akuzoi Rusinë për “krimin më të madh të ekocidit në Evropë” duke shkatërruar digën Nova Kakhovka.

Më tej, Zelensky u shpreh se vendi i tij po zhvillon aleanca të forta dypalëshe me liderët e botës demokratike, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Kanadanë, Japoninë, Australinë, të gjithë anëtarët e BE-së.

“Këto aleanca ofrojnë fuqi të re në mbrojtje, ekonomi dhe perspektiva globale për demokracinë”, tha ai, teksa falënderoi vendet që kanë mbështetur Ukrainën.

“Ukraina ka aktivizuar të gjithë fuqinë e solidaritetit për të cilën është konfiguruar BE-ja.

Udhëheqja morale në mbrojtjen e paqes “është e mundur vetëm me Ukrainën. Ne tashmë po mbrojmë hapësirën e përbashkët të lirisë në aleancë dhe presim vetëm që liderët e aleancës ta njohin këtë realitet politik”, deklaroi Zelensky.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme