Konflikt për pronën përfundon me dy të plagosur në Pukë, arrestohen tre persona dhe procedohen dy të tjerë

Një konflikt për motive pronësie mes fqinjësh në fshatin Dedaj të Pukës ka përfunduar me arrestimin e tre personave dhe procedimin në gjendje të lirë të dy të tjerëve.
Sipas Policisë, në pranga janë vënë shtetasit I. Sh., 67 vjeç, F. Sh., 36 vjeç, dhe G. I., 34 vjeç. Ndërkohë, Prokuroria ka nisur procedim në gjendje të lirë ndaj P. I., 60 vjeç, dhe bashkëshortes së tij, F. I., 43 vjeçe, të gjithë banues në fshatin Dedaj.
Nga veprimet hetimore rezulton se mbrëmjen e së martës, palët janë konfliktuar me njëra-tjetrën për motive pronësie, duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur I. Sh. dhe G. I., të cilët po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet dhe mjetet që dyshohet se janë përdorur gjatë konfliktit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




