Kongresi Spanjoll rrëzon dekretin për strehimin, Qeveria shqyrton opsionin e zgjedhjeve të parakohshme

Europë | 51 minuta më parë

Kongresi Spanjoll ka hedhur poshtë dekretin ligjor të paraqitur nga qeveria e Pedro Sánchez për luftimin e emergjencës së strehimit, me një rezultat të ngushtë prej 172 votash pro dhe 178 votash kundër. Votat përcaktuese kundër masave të propozuara erdhën nga koalicioni opozitar i krahut të djathtë — Partia Popullore (PP) dhe Vox — si dhe nga shtatë deputetët e partisë katalaniste Junts per Catalunya.

Refuzimi parlamentar ka nxjerrë në pah mungesën e një shumice të konsoliduar progresive në parlament, duke nxitur reagime të menjëhershme si në rrugë, ashtu edhe brenda kabinetit qeveritar. Burime qeveritare të caktuara kanë bërë të ditur se kryeministri Sánchez po shqyrton mundësinë e shpërbërjes së parakohshme të parlamentit dhe thirrjes së zgjedhjeve të reja më 29 nëntor, edhe pse nga rezidenca presidenciale Moncloa po bëhet thirrje për qetësi dhe një periudhë reflektimi gjatë fundjavës.

Protesta masive në Madrid dhe thirrje për grevë të përgjithshme

Menjëherë pas përfundimit të votimit në dhomën e ulët, vala e pakënaqësisë është zhvendosur në rrugët e Madridit, veçanërisht në Carrera de San Jerónimo dhe në sheshin qendror Puerta del Sol, ku aktivistë dhe banorë kishin ngritur kampet e tyre prej ditësh.

Protestuesit, të udhëhequr nga e ashtuquajtura “Sindikata e Qiramarrësve” (Sindicato de Inquilinas) dhe organizata studentore, shprehën zhgënjim të thellë ndaj vendimit të Kongresit, duke bërë thirrje për mobilizim masiv.

“Ajo që pamë sot është qesharake dhe nuk kemi ndërmend ta durojmë. Nëse nuk ka politikanë të guximshëm që qeverisin për popullin, jemi të qartë: koha për politikanë ka mbaruar, por kjo nuk do të thotë se koha për politikë ka mbaruar,” deklaroi zëdhënësja e sindikatës, Valeria Racu.

Nga ana e saj, përfaqësuesja tjetër e sindikatës, Alice del Rio, konfirmoi vazhdimin e rezistencës qytetare.

“Nuk do të ndalemi derisa të arrijmë të drejtat e strehimit në këtë vend dhe do të vazhdojmë luftën në rrugë.”, tha ajo.

Më shumë se 50 demonstrata janë thirrur nga shoqatat civile dhe sindikatat në 50 qytete të ndryshme spanjolle për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të qirave.

Përmbajtja e dekreteve të rrëzuara nga parlamenti

Dekreti kryesor i rrëzuar përmbante një sërë masash sociale të cilat synonin mbrojtjen e shtresave më të cenueshme deri në vitin 2030, përfshirë ndalimin e dëbimeve nga shtëpitë për personat në nevojë ekonomike; kufizimin e blerjeve të pronave nga fondet speculative spekulative (vulture funds); subvencione për blerësit e shtëpisë së parë dhe zhvillimin e strehimit me kosto të përballueshme.

Një dekret i dytë paralel, i cili parashikonte rinovimin automatik dyvjeçar të kontratave të qirasë që skadonin në vitin 2028, u refuzua po ashtu me 166 vota pro dhe 184 kundër, ku kësaj radhe kundërshtimit iu bashkuan edhe deputetët e Partisë Nacionaliste Baste (PNV).

Thirrja e pasuksesshme e kryeministrit Sánchez

Përpara se të zhvillohej votimi me thirrje nominale, kryeministri Pedro Sánchez u pati bërë një apel të drejtdrejtë forcave politike opozitare që të mënjanonin interesat partiake përballë krizës sociale.

“Ju kërkoj të mendoni për njerëzit, njerëzit e zakonshëm që kanë më shumë nevojë të mbrohen nga publiku. Harroni llogaritjet ideologjike. Nëse dekretet skadojnë sot, dëmi për vendin tonë do të jetë i jashtëzakonshëm, dhe këtë herë nuk do të jetë faji i Trojkës, as i përahpjes, as i bankave: do të jenë ata që votojnë kundër.”, apeloi ai.

Sánchez e përmbylli apelin e tij përpara deputetëve duke paralajmëruar se “historia do t’ju gjykojë më shpejt sesa mendoni dhe më ashpër sesa imagjinoni”, mirëpo blloku i opozitës dhe partnerët rajonalë nuk e ndryshuan qëndrimin e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme