Kosovë – Mbyllet procesi i votimit, pritet të nisë numërimi i votave

Në Kosovë është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ndërsa tashmë pritet të nisë numërimi i votave në të gjithë vendin. Rezultatet e para pritet të publikohen gjatë orëve në vijim, ndërsa vëmendja është e përqendruar tek formimi i qeverisë së re.
Exit poll-et e publikuara nga disa televizione në Kosovë e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në vend të parë, me rreth 42 për qind të votave, dukshëm më pak krahasuar me mbi 51 për qind që fitoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa incidente që do të cenonin mbarëvajtjen e tij.
Sipas të dhënave preliminare, ai tha se të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 712.148 qytetarë, ose 36.33 për qind e trupës zgjedhore. Për krahasim, në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, votuan 44.99 për qind.
Procesi po monitorohet nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa KQZ ka paralajmëruar se do të publikojë të dhënat e përditësuara në intervale të rregullta.
Rreth 2 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, të cilat u organizuan pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.
Në garë morën pjesë 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore. Zgjedhjet u zhvilluan pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e procesit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




