Kosovë/ Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit, Kurti kërkon kohë shtesë për marrëveshje për presidentin

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për diskutime politike për arritjen e një marrëveshjeje mbi emrin e kandidatit për president të ri të vendit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti tha se nevojitet më shumë kohë për t’u dhënë mundësi bisedimeve politike.
“Kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes theksoi se procesi i konstituimit të institucioneve nuk duhet të çojë sërish drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja të parakohshme.
“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, u shpreh Kurti.
Më herët, 120 deputetët e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës janë betuar për mandatin e tyre të ri.
Paraprakisht, me 120 vota pro është miratuar raporti i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




