Kosovë, Vetëvendosje thellon fitoren – Numërimi i votave të diasporës i jep partisë së Albin Kurtit tri mandate shtesë
Procesi i numërimit të votave të diasporës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po ndryshon sërish bilancin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Deri tani janë hapur rreth një e pesta e kutive me postë, ku Lëvizja Vetëvendosje po kryeson bindshëm duke marrë mbi gjashtëdhjetë e nëntë për qind të këtyre votave.
Ky rezultat i lartë i ka siguruar partisë tri mandate shtesë në parlament, duke e çuar numrin e deputetëve nga dyzet e tetë në pesëdhjetë e një ulëse. Ndërkohë, partitë e tjera kryesore të opozitës vijnë shumë më pas me një diferencë mjaft të madhe votash.
Sipas të dhënave zyrtare, deri me tani, Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar njëzet e tri mandate, Lidhja Demokratike ka nëntëmbëdhjetë, ndërsa AAK ka mbetur me shtatë deputetë.
Kreu i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se procesi po ecën normalisht dhe pa probleme, por pritet ende të hidhen në sistem të dhënat e fundit. Ndërkohë, pa u numëruar kanë mbetur votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, ndërsa numërimi në përfaqësitë diplomatike dhe në Qendrat Komunale të Numërimit ka përfunduar.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




