Krijimi i institucioneve të reja në Kosovë, Kurti: Nisim negociatat me partitë sapo të certifikohet rezultati i zgjedhjeve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën me 7 qershor do të fillojnë komunikimet me partitë politike me synim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.
Kosova mbajti zgjedhjet e treta parlamentare brenda 16 muajsh dhe tani duhet të zgjedhë Presidentin e ri. Sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ky proces duhet të nisë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit ta bëjë deri më 6 korrik.
Sipas Kushtetutës së vendit, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Nga të dhënat e publikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese e zgjedhjeve duke marrë 53 deputetë, PDK siguroi 22, LDK 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 vende në Kuvendin e ri.
Për zgjedhjen e presidentit, çështje për të cilën vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, nevojitet marrëveshje mes partive politike, pasi në dy raundet e para të votimit kërkohet prania në sallë e të paktën 80 deputetëve.
Më herët, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri deklaroi se partia e tij është e gatshme për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje për të krijuat stabilitet institucional në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




