Krim në Roskovec, 35-vjeçari vret ish-vjehrrin dhe plagos ish-vjehrrën. Autori liron pas disa orësh peng ish-gruan, rrethohet nga policia

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht, në Roskovec, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë ish-vjehrrin e tij dhe ka plagosur ish-vjehrrën.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00, ku 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Gjatë sulmit është plagosur edhe ish-vjehrra Belere Plaka, 55 vjeçe, e cila është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Pas krimit, autori, i armatosur, është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, duke marrë peng ish-bashkëshorten e tij, Rozalinda Plaka. Pas disa orësh negociatash me forcat e policisë, 35-vjeçari e ka lënë të lirë ish-partneren e tij, e cila tashmë ndodhet jashtë rrezikut.

Aktualisht, autori i dyshuar është i rrethuar nga forcat e policisë dhe repartet RENEA, të cilat po vijojnë negociatat për dorëzimin e tij.

Nga dëshmitë e familjarëve mësohet se prej kohësh çifti kishte një marrëdhënie të komplikuar me bashkime e ndarje, pasi 35-vjeçari i kërcënonte vazhdimisht si vajzën ashtu dhe prindërit e saj. Madje ai ishte arrestuar disa herë, por sërish ishte lënë i lirë.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e saj ligjor dhe kapjen e autorit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme