Kriza e strehimit në Spanjë, protesta masive pasi parlamenti refuzoi masat për mbrojtjen e qiramarrësve

Europë | 53 minuta më parë

Protesta masive u mbajtën në më shumë se 50 qytete spanjolle, një ditë pasi parlamenti rrëzoi dy dekrete qeveritare që synonin t’u jepnin qiramarrësve mbrojtje më të fortë. Sindikata e Qiramarrësve, e cila ka koordinuar protestat, tha se ekziston një ndarje e pariparueshme mes asaj që duan njerëzit dhe asaj për të cilën votojnë partitë.

Në Madrid, protestuesit u mblodhën në sheshin Plaza de Cibeles, ku aktivistët kanë ngritur çadra prej rreth një jave në Puerta del Sol, një nga sheshet kryesore turistike të kryeqytetit. Protestat masive u nxitën nga dëbimi i një 87-vjeçareje, e cila u nxor me barelë nga apartamenti në Madrid ku kishte jetuar për rreth shtatë dekada.

Në përgjigje të protestave që u shtrinë në mbarë vendin, qeveria spanjolle hartoi një sërë masash. Por paketa u refuzua nga parlamenti, pasi masat qeveritare kishin nevojë për votat e partisë separatiste katalanase Junts, e cila i kundërshtoi ato me arsyetimin se nuk ishin mjaftueshëm të ashpra.

Paketa e refuzuar të premten do të kishte rinovuar automatikisht kontratat e qirasë kur ato skadonin dhe do të kufizonte dëbimet e qiramarrësve nga banesat. Kriza e strehimit e ka shndërruar zemërimin popullor për qiratë në Spanjë, të cilat gati janë dyfishuar në 10 vite, në një kërcënim për qeverinë e majtë të Pedro Sánchez, duke vënë në dyshim nëse mund të rezistojë deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Pas dështimit në Kuvend, opozita i kërkoi kryeministrit socialist të thërrasë sa më shpejt zgjedhje të reja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme