Kurset e teknologjisë për fëmijë e të rinj në Korçë, 500 pjesëmarrës, 50% bursë nga bashkia

Teknologji | 1 vit më parë

Në qytetin e Korçës janë çelur regjistrimet për fëmijët dhe të rinjtë të cilët duan të bëhen pjesë e kurseve të teknologjisë së informacionit të ofruara nga bashkia e Korçës. Për të nënta kurset të cilat fëmijët dhe të rinjtë mund të aplikojnë, Bashkia e Korçës ofron 50% të pagesës së kursit.

Kurset më të kërkuara për fëmijët dhe të rinjtë në botën e teknologjisë dhe inovacionit zhvillohen në bashkëpunim me Albanian ICT Academy, pas suksesit të dy viteve të kaluara kur më shumë se 700 fëmijë dhe të rinj janë bërë pjesë.

Bashkia e Korçës prej disa vitesh tashmë është fokusuar në rritjen e kapaciteteve në fushën e teknologjisë duke i nxitur fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë dhe të fokusohen te teknologjia e cila konsiderohet si mjaft e rëndësishme në kohët që jetojmë.

Këto kurse do të zhvillohen pranë Bibliotekës Thimi Mitko aty ku funksionon Korça Innovation Hub. Burime zyrtare bëjnë të ditur se deri më tani interesi i fëmijëve dhe të rinjve për tu regjistruar ka qenë mjaft i madh ndërsa pritet të rritet edhe më tej me nisjen e vitit të ri shkollor kur shifrat e regjistrimeve do të jenë edhe më të larta.

Mbështetja me bursa e fëmijëve ka si qëllim jo vetëm lehtësimin e barrës financiare të familjeve dhe përfshirjen e më shumë fëmijëve, por i shërben edhe vizionit të bashkisë për kthimin e Korçës në një qendër të inovacionit dhe teknologjisë, duke i drejtuar fëmijët dhe të rinjtë drejt mundësive të pafundme që ofron bota e teknologjisë së informacionit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme