Kurti: Bekim Sejdiu mbetet kandidati për president, kërkon takime të reja me opozitën

Kosovë | 29 minuta më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bekim Sejdiu mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president, pavarësisht tërheqjes së tij nga gara më 14 shtator.

Në një konferencë për media, Kurti tha se LVV-ja nuk ka një kandidat tjetër dhe se marrëveshja politike e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës duhet të respektohet.

“Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është profesor Bekim Sejdiu nga marrëveshja”, tha Kurti.

Kurti tha se tërheqja e Sejdiut lidhej me moszbatimin e marrëveshjes politike dhe përsëriti se LVV-ja nuk ka emër alternativ për postin e presidentit.

Ndërkohë, Kurti bëri thirrje për takime të reja me liderët e opozitës, duke thënë se është në komunikim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Është e domosdoshme që të kemi takime të reja”, tha Kurti, pa bërë të ditur një datë konkrete për takimin e radhës.

Ai u shpreh optimist se mund të arrihet një marrëveshje, duke iu referuar edhe bashkëpunimit të fundit në Kuvend për deklaratën lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

LVV dhe LDK e propozuan Sejdiun si kandidat të përbashkët më 31 gusht. Megjithatë, gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan kandidaturën e tij, ndërsa Sejdiu njoftoi më 14 shtator tërheqjen nga gara, duke përmendur mungesën e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet politike.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme