Kurti: Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional rrezikon të dështojë

Kosovë | 4 orë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se lëvizjet për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara janë të ngutshme dhe të paanalizuara mirë.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të hënën, Kurti ngriti dyshimet për dobitë e këtij ligji, derisa theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të ketë gjyq.

Kurti rikujtoi se edhe krijimi i Dhomave të Specializuara ishte kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur ishte votuar në Kuvend, ndërsa theksoi se sot kjo parti po e mbështet procedimin e projektligjit.
“Për UÇK-në nuk mund të ketë ligj, të nderuar deputetë, ka qenë një kohë shumë e shkurtër për të analizuar si duhet ligjin. Aq më tepër kur ende nuk i kemi atë gjykimin në formën e tij të re. Ne e konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet. Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2015, kur është votuar krijimi i kësaj gjykate, përkatësisht Dhomave të Specializuara. Atëherë nuk na keni dëgjuar, të paktën sot do të duhej të na konsultonit dhe të na jepnit kohën e nevojshme që çështja të trajtohet shumë më seriozisht. Zemërimi i qytetarëve ndaj gjykatës sot është i drejtë, ka qenë i pranishëm edhe në vitin 2015, por atëherë ky zemërim nuk është marrë parasysh nga deputetët në Kuvend. Prandaj, ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e kanë themeluar, jo atyre që e kundërshtojnë. Përgjegjësinë e mbajnë ata që e kanë themeluar. Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale që në fillim, por atëherë nuk e kishim mbështetjen tuaj, ndërsa ne po ju mbështesim sot”, tha ai.

Kurti tha se Qeveria po e mbështet projektligjin në lexim të parë, por kjo nuk nënkupton se është e bindur për efektet e tij.
Sipas Kurtit, “adresa e fitores është apeli”, ndërsa për një proces të tillë, sipas tij, nevojiten organizim dhe strategji. Ai theksoi se kjo strategji nuk duhet të jetë partiake apo vetëm qeveritare, por shtetërore dhe kombëtare, raporton Kosova Press.
“Ju kemi mbështetur, me rezolutën, në Kuvend. Ju kemi mbështetur edhe duke e proceduar korrekt ligjin nga Qeveria në Kuvend. Sot po ju mbështesim edhe me votën tash në lexim të parë. Pra, sa herë që bëhet fjalë për çështje që prekin interesin e përbashkët të vendit, ne edhe kemi pasur të drejtë, por edhe kemi treguar se dimë të veprojmë përtej dallimeve politike. Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji, e dimë që ju besoni në të dhe ne duam të besojmë besimin tuaj. Po ashtu na keni thënë që këtë projektligj e mbështesin edhe ekipet mbrojtëse, andaj po ua mbështesim ne… Ju po thoni qytetarëve se e keni zgjidhjen. Ne nuk jemi të bindur se është kështu, por përsëri nuk do të veprojmë. Duhet ta keni parasysh jo vetëm shkakun që ju shtyn të votoni sot, por edhe pasojat që mund t’i prodhojë ky votim nesër. Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që, duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër. Adresa e fitores është apeli, aty dilet përfitues. Për fitore nevojitet organizim dhe strategji. Organizimi duhet të jetë shtetëror dhe kombëtar. Organizimi nuk bën të jetë partiak dhe jo qeveritar. Nuk ndihmojnë veprimet dhe gjestet pa strategji dhe para strategjisë”, theksoi Kurti.

Kryeministri deklaroi se mbështetja për projektligjin duhet të shoqërohet me funksionalitet institucional në Kosovë. Ai kërkoi që pas zgjedhjes së presidentit të Kosovës të ulen së bashku për të hartuar një strategji shtetërore dhe kombëtare për çështjen e Dhomave të Specializuara.

Ai paralajmëroi se, sipas tij, një ligj për Hagën pa stabilitet institucional, pa president të Kosovës dhe në kushtet e zgjedhjeve të përsëritura, rrezikon të mos e arrijë qëllimin e synuar.

“Ne po e mbështesim këtë projektligj që menjëherë pas zgjedhjes së presidentit të ulemi bashkë për strategji shtetërore dhe kombëtare për të na nxjerrë fitimtarë. Për të pasur një strategji të qëndrueshme për situatën e padrejtë në Hagë, duhet të kemi një shtet fort të qëndrueshëm dhe tërësisht funksional në Kosovë. Duhet ligj për gjykatën në Hagë, por duhet edhe president për Kosovën. Njëra pa tjetrën është shumë e dëmshme. Nuk mund të pretendojmë se po e mbrojmë interesin në Hagë, ndërkohë që lejojmë vakum dhe pasiguri institucionale në Kosovë. Na duhet një strategji serioze për Hagën, por për ta zbatuar atë strategji na duhen institucione funksionale dhe një president që garanton vazhdimësi kushtetuese dhe një qeverisje stabile. Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional, dhe pa president të Kosovës dhe zgjedhje të përsëritura, rrezikon të përfundojë për dështim”, theksoi Kurti.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme