Kurti optimist për zgjedhjen e presidentit/Kreu i “Vetëvendosjes”- Fundjava vendimtare për bisedimet, kemi nisur kontaktet

Kosovë | 44 minuta më parë

“Kjo fundjavë do të jetë vendimtare.” Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ndërsa bëri të ditur se kanë nisur negociatat me partitë parlamentare të opozitës për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Kemi filluar komunikimet. Natyrisht, se kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje, në mënyrë që javën e ardhshme të kemi një president apo presidente të re.”

Gjykata Kushtetuese vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike arritën më herët një marrëveshje për kreun e ri të shtetit, por 6 deputetë të saj e kundërshtuan dhe kandidati I propozuar prej tyre Bekim Sejdiu u tërhoq.

Pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës , subjekti më i madh opozitare u shpreh e gatshme të diskutojë për presidentin, por kërkon që para 6 tetorit Kuvendi të miratojë edhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, nismë që e ka dorëzuar në qeveri për miratim.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar takimet me Albin Kurtin dhe ka kërkuar që fillimisht të plotësohen 5 kërkesa të parashtruara më herët prej saj.  Kosova duhet ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme