Kurti prezanton xhandarmerinë, strukturë e re për sigurinë dhe kontrollin kufitar në Kosovë

Kosova pritet të bëhet së shpejti me një strukturë të re dhe të specializuar të sigurisë e cila do të quhet Xhandarmëri. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti gjatë një konference për mediat ku theksoi se vendi po përballet me sulme të shumta sidomos në veri.
“Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe grupeve të armatosura përfshirë ato me karakter para ushtarak, parandalimi dhe luftimi i të] gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare si me mallra dhe emigrantë, menaxhimi i situatave të rrezikut të sigurisë së lartë si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike. Modeli i xhandarmërisë është praktikë e dëshmuar evropiane”, u shpreh Kurti.
Kurti deklaroi se themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do të bëhet me ligj të veçantë, i cili do të votohet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e ardhshme.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla sqaroi se kjo strukturë do të ndihmojë policinë që të fokusohet më shumë te rendi publik. Sipas tij ky model është një praktikë e dëshmuar evropiane që do të garantojë një reagim mjaft të shpejtë ndaj kërcënimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




