Kurti takohet me Kaja Kallas: UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj spastrimit etnik nga Serbia

Kosovë | 36 minuta më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur çështjen e aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë gjatë takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në selinë e OKB-së në Nju Jork. Kurti tha se gjatë takimit ka shprehur shqetësimin e tij për atë që i cilësoi si “dënime të rënda dhe të padrejta” ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar. “Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikti të korrigjohen në shkallën e Apelit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka mbrojtur luftën e UÇK-së, duke argumentuar se ajo ishte përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave dhe dëbimeve masive të popullsisë shqiptare nga Serbia.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive e spastrimit etnik nga Serbia dhe lufta e saj për liri ishte e drejtë dhe e pastër”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, gjatë luftës në Kosovë, qindra mijëra qytetarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra të tjerë u vranë. Kurti përmendi edhe dhunën seksuale gjatë luftës, duke thënë se rreth 20 mijë gra e burra konsiderohen viktima të saj. Kryeministri i Kosovës tha gjithashtu se shumë prej krimeve të kryera nga forcat serbe ende nuk janë ndëshkuar. Në takim, Kurti ngriti edhe çështjen e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, duke kujtuar se më 24 shtator bëhen tre vjet nga ngjarja ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ai kërkoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për t’i bërë presion Serbisë që autorët e sulmit, përfshirë Milan Radoiçiqin, të përballen me drejtësinë në Kosovë. Kurti e akuzoi Serbinë për mbështetje ndaj Radoiçiqit dhe pjesëtarëve të grupit të armatosur që morën pjesë në sulmin e Banjskës. Një tjetër çështje e ngritur nga Kurti ishte gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai tha se shqiptarët në Serbi përballen me diskriminim dhe nën-përfaqësim në institucionet publike, duke përmendur edhe atë që e cilësoi si “spastrim etnik administrativ” përmes heqjes së adresave të banimit. Kurti tha se Kosova, ndryshe nga Serbia, mbetet e orientuar qartë drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik. “Jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai, duke kërkuar nga Brukseli që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme