Kurti: Zgjedhja e presidentit kërkon konsensus politik. Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme pa opozitën

Kosovë | 3 muaj më parë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pas përfundimit të procesit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore, prioritet i institucioneve do të jetë konstituimi sa më i shpejtë i legjislaturës së re.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit të vendit nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e partive opozitare.

“Po përmbyllet procesi i numërimit të të gjitha votave dhe duhet të presim edhe disa ditë. Pas certifikimit, synimi ynë është që pa humbur kohë të kalojmë në fazën e konstituimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të. Sa më shpejt që të jetë e mundur, aq më mirë”, u shpreh ai.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Kurti vlerësoi se nevojitet konsensus më i gjerë politik, duke kujtuar se sipas interpretimit aktual kushtetues kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë për të siguruar kuorumin e nevojshëm.

Ai ritheksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta përmbyllur e vetme këtë proces dhe se bashkëpunimi me opozitën sipas tij mbetet i domosdoshëm.

“Ne do të përpiqemi të ndërtojmë sa më shumë bashkëpunim me opozitën për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, tha Kurti.

Po ashtu, Kryeministri në detyrë tha se edhe në të kaluarën partia e tij ka bërë oferta konkrete për bashkëpunim, por sipas tij ato janë refuzuar nga partitë opozitare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme