Kush është njeriu që krijoi “Peaky Blinders”? Steven Knight flet për vazhdimin e sagës

Film | 9 muaj më parë

Steven Knight, krijuesi i një prej serialeve më ikonike të dekadës së fundit, “Peaky Blinders”, ka folur hapur për rrugëtimin e tij krijues, të tashmen dhe të ardhmen e sagës Shelby, si dhe për projektet e mëdha që po zhvillon aktualisht, në një intervistë të publikuar nga The Radio Times Writers’ Room.

Në bisedën e tij, Knight thekson se “Peaky Blinders” nuk është një histori e mbyllur. Ndryshimet e shkaktuara nga pandemia e COVID-19 e detyruan ekipin krijues të ndryshonte planet fillestare për një sezon të ri televiziv, duke i hapur rrugë realizimit të filmit të ardhshëm “Peaky Blinders: The Immortal Man”. Ky projekt do të zhvendosë ngjarjet në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë një fazë të re të historisë së Tommy Shelby dhe botës që e rrethon.

Knight e përshkruan këtë vazhdim si një kapitull “të ndryshëm, por besnik ndaj shpirtit të serialit”, ku tensionet politike, përplasjet personale dhe pasojat e luftës do të ndërthuren në mënyrë të natyrshme me estetikën e njohur të Peaky Blinders.

Duke u kthyer pas në kohë, krijuesi tregon se frymëzimi për serialin lindi nga rrëfimet familjare për bandat reale të Birminghamit të viteve ’20 — histori që ai i përjetoi fillimisht si kujtime, e më pas i shndërroi në një univers televiziv që sot ndiqet në mbarë botën.

Paralelisht me këtë projekt, Steven Knight po punon edhe për disa nga prodhimet më ambicioze të momentit. Seriali “A Thousand Blows” ka përmbyllur sezonin e dytë, ndërsa “House of Guinness” po zhvillohet si një dramë historike me profil të lartë. Në të njëjtën kohë, ai është përfshirë si skenarist në filmin e ardhshëm të James Bond, një sfidë që e konsideron një nga kulmet profesionale të karrierës së tij.

Në reflektimet e tij, Knight nënvizon rolin qendror të industrisë britanike të televizionit dhe kinemasë, duke theksuar se forca e saj buron nga rrënjët kulturore, historike dhe nga talenti krijues që vazhdon të ushqejë tregun global me histori origjinale dhe të fuqishme.

Aktualisht, seriali “Peaky Blinders” po transmetohet në RTSH 1 HD çdo të hënë dhe të mërkurë ora 22.00 dy seri njëra pas tjetrës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme