Kuvendi i Kosovës rezolutë për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, kërkohet proces i drejtë dhe i paanshëm

Me 90 vota pro, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim, pasi kërkesa e tyre për ndryshime në tekst nuk u pranua. Po ashtu, në votim nuk morën pjesë as deputetët e Listës Serbe.
Kuvendi kërkon që gjykata dhe zyra e prokurorit të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës në çdo hap të procesit. Rezoluta kërkon edhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve.
Rezoluta inkurajon edhe organizatat ndërkombëtare dhe ato të shoqërisë civile për monitorim të procesit.
Kjo rezolutë vjen në kohën kur Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar nga 45 vite dënim me burg për secilin nga katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen atje.
Më herët edhe Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 92 vota pro deklaratën e përbashkët për “Pafajësi për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Rezoluta si më poshtë:
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
INKURAJON të gjitha shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shenjtërisë së historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




