Lamallari firmos urdhrin, Shqipëria shpall “person të padëshiruar” Ikball Berishën për 15 vite

Aktualitet | 4 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka nxjerr urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, për shteteses Ikball Huduti (Berisha).

Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetese vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Kujtojmë që Ikball Huduti (Berisha) njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Po kështu është shfaqur publikisht krah ish-presidentit të Iranit, Mahmud Ahmandinexhad.

Gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama pati një reagin ndaj saj, lidhur me përfshirjen në protestat në Tiranë.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruante kryeministri.

Pas shpalljes “person i padëshiruar” në vendin tonë ka reaguar edhe Ikballa Huduti (Berisha), e cila thotë se jeta e saj nuk do të kishte vlerë nëse nuk do ta kryente misionin e saj kundër padrejtësive.

“Një përgjigjje jo për Ministrin Llamallari por për një vëlla të shqetësuar që më dërgoji këtë lajm në ëhat’s app.  Paqe për ty Vëlla. Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S’kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to. Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m’i ka falur.

Kam “humbur” nga kjo botë e “bukur” çdo të mirë, që nga dita kur e ngrita zërin kundër padrejtësisë në emër të lirisë humane dhe njerëzillëkut. U shkurorëzova nga kjo botë që nga dita kur e lexova poemën “Qerbelaja” të Naim Frashërit. Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë.

Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët. Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime. Të kam në dua, vëlla, edhe ju më keni në dua në këtë ditë të Ashuras. Kam nevojë për lutjet e secilit që dëgjon për padrejtësitë që më bëhen në këtë jetë”, shkruan ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme