Live/ Përshkallëzohen përplasjet në protestë, digjet hyrja e Bankës së Shqipërisë, zyrat e Gjykatë së Lartë, disa makina dhe një biznes
Situata në Tiranë është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë protestës, ku përplasjet dhe aktet e dhunës janë shoqëruar me disa vatra zjarri në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Flakët kanë përfshirë hyrjen e Bankës së Shqipërisë, ndërsa protestuesit u kanë vënë zjarrin edhe një biznesi dhe një automjeti pranë Gjykatës së Lartë. Po ashtu, raportohet se janë djegur edhe zyrat e Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, protestuesit kanë djegur edhe kosha mbeturinash në rrugë, duke rënduar më tej situatën në terren.
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë kanë vijuar prej disa orësh, fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe aktualisht janë mbledhur pranë Gjykatës së Lartë. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa dëmtimet dhe zjarret e shkaktuara gjatë protestës kanë përfshirë disa prej zonave kryesore të kryeqytetit.
Përplasjet para Kryeministrisë, gurë e molotovë drejt efektivëve, aksioni i policisë për shpërndarjen e tyre
Pas disa orësh tensionesh dhe përplasjesh, policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Aksioni u zhvillua pas mbërritjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), efektivëve të Operacionales, të cilët përdorën 4 autobote me ujë për të larguar turmën nga bulevardi.
Efektivët përparuan në terren, duke ushtruar presion për zhvendosjen e protestuesve dhe lirimin e hapësirës përpara Kryeministrisë. Pas ndërhyrjes, turma u shpërnda nga bulevardi, ndërsa kanë nisur dhe shoqërimet e para nga efektivët.
Pas shpërndajes nga Kryeministria, protestuesit kanë hedhur molotovë drejt ish-hotel ‘Dajtit’ ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë duke i vënë flakën hyrjes së bankës.
Aksioni i policisë erdhi pas përplasjeve të vazhdueshme gjatë protestës, ku protestuesit hodhën gurë, molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve. Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej kur një automjeti iu vu flaka në bulevard, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit.
Në terren ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër zhvillimet. Ndërkohë, efektivët krijuan një kordon sigurie dhe vijuan ndërhyrjen për largimin e protestuesve nga bulevardi.
Protesta e sotme është dita e pestë e tubimeve në Tiranë. Ajo nisi në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit, ku pas disa orësh protestë situata u përshkallëzua me djegien e koshave të mbeturinave, shkuljen e kangjellave të trotuarit dhe hedhjen e gurëve në drejtim të policisë.
Pas përplasjeve pranë ministrisë, turma u zhvendos drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku tensionet vijuan me hedhjen e molotovëve dhe mjeteve piroteknike, përdorimin e gazit lotsjellës dhe ndërhyrjen e policisë me ujë për shpërndarjen e protestuesve.
Efektivi goditet nga protestuesit, i merr flakë këmba. Ndërhyjnë në kohë kolegët, dërgohet në spital
Një efektiv policie është dëmtuar gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, pas hedhjes së mjeteve piroteknike dhe molotovëve në drejtim të forcave të rendit.
Efektivi është goditur nga protestuesit, ku këmba e tij ka marrë flakë, por kanë qenë kolegët e tij ata që kanë ndërhyrë menjëherë për të shuar flakët dhe për t’i dhënë ndihmën e parë, përpara se efektivi të transportohej me ambulancë drejt spitalit për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, situata në bulevard vijon të jetë e tensionuar, me protestuesit që vazhdojnë të hedhin fishekzjarrë dhe molotovë në drejtim të efektivëve të policisë, pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit për shpërndarjen e turmës.
Aksioni i policisë për largimin e protestuesve, FNSH dhe Operacionalja ndërhyjnë me 4 autobotë uji
Policia ka nisur një aksion të menjëhershëm për largimin e protestuesve nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, pas orësh të tëra tensionesh dhe përplasjesh. Me mbërritjen e forcave të FNSH-së dhe të Operacionales, strategjia e efektivëve në terren ka ndryshuar, ndërsa ka nisur ndërhyrja për shpërndarjen e turmës.
Në zonë janë angazhuar katër autobotë me ujë, të cilët po përdoren për të larguar protestuesit, ndërsa efektivët po përparojnë në terren për të liruar bulevardin.
Ndërhyrja vjen pas përplasjeve të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të rendit, gjatë të cilave janë hedhur gurë, molotovë dhe mjete piroteknike. Situata është tensionuar edhe më tej pas djegies së një automjeti në bulevard.
Tensione para Kryeministrisë, Skënder Hita zbret në terren, ndjek nga afër situatën
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i është bashkuar forcave të policisë në terren, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku situata vijon të mbetet e tensionuar.
Hita po ndjek nga afër zhvillimet dhe situatën në terren, pas përplasjeve të regjistruara mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Tensionet kanë vijuar gjatë protestës, ndërsa në bulevard janë shënuar incidente, përfshirë hedhjen e mjeteve piroteknike dhe djegien e një automjeti.
Prania e kreut të Policisë së Shtetit vjen në një moment kur përplasjet vijojnë dhe forcat e rendit janë të angazhuara për menaxhimin e situatës.
Tensione të forta para Kryeministrisë, i vihet flaka një makine, protestuesit përplasen me policinë
Protesta në Tiranë vijon mes tensioneve të forta para Kryeministrisë, ku tymi, flakët dhe gazi lotsjellës kanë mbuluar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonë, ndërsa efektivët e policisë janë tërhequr më tej, duke krijuar një kordon sigurie.
Në bulevard, protestuesit i kanë vënë flakën një automjeti, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse për të shuar zjarrin. Situata është përshkallëzuar edhe më tej, pasi protestuesit kanë hedhur gurë, molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve.
Nga ana tjetër, policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë në përpjekje për të larguar turmën dhe për të rikthyer kontrollin në zonë. Megjithatë, protestuesit janë kundërpërgjigjur me gurë dhe mjete piroteknike, ndërsa përplasjet mes tyre dhe forcave të rendit vijojnë herë pas here.
Protestuesi humb ndjenjat në bulevard, transportohet me ambulancë në spital
Një protestues ka humbur ndjenjat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Ai është ndihmuar fillimisht nga protestuesit e tjerë që ndodheshin pranë tij, ndërsa pak minuta më vonë në vendngjarje ka mbërritur ambulanca.
Personeli mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë, përpara se ta transportonte drejt spitalit për trajtim të mëtejshëm.
Çfarë ndodhi gjatë katër orëve të protestës para Ministrisë së Arsimit?
Protesta studentore, e cila ka hyrë sot në ditën e pestë, nisi në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku nxënës, studentë dhe qytetarë u mblodhën për të protestuar. Tubimi ishte paralajmëruar si një protestë gjithëpërfshirëse kombëtare, me pjesëmarrjen e gjimnazistëve, studentëve dhe qytetarëve.
Për orë të tëra, protesta vijoi para godinës së ministrisë, ndërsa situata nisi të tensionohej pas mesditës. Fillimisht, disa prej protestuesve shkulën kangjellat e trotuarit pranë institucionit dhe i vendosën në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin. Më pas, disa kosha mbeturinash u përfshinë nga flakët, duke bërë që situata të përshkallëzohej.
Në këto momente, Policia ndërhyri me makinat ujëhedhëse për të larguar koshat e mbeturinave nga rruga dhe për të shpërndarë protestuesit. Por ndërhyrja u shoqërua me përplasje, pasi një pjesë e protestuesve nisën të hedhin gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Tensionet u shtuan edhe më tej kur, sipas raportimeve nga terreni, në drejtim të efektivëve u hodhën bomba molotov. Përballë kësaj situate, policia vijoi ndërhyrjen me ujë, duke u përpjekur të largonte turmën nga zona pranë Ministrisë së Arsimit dhe të rikthente kontrollin në rrugë.
Gjatë këtyre orëve, situata mbeti e tensionuar, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të mbrojtur institucionin dhe për të menaxhuar përshkallëzimin e protestës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.











