LVV fiton mandatin e 53-të, diaspora i shton sërish një mandat partisë së Kurtit, LDK bie në 18 deputetë
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi bëri me dije se gjatë së mërkurës pritet të përmbyllet numërimi i të gjitha fletëvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e ri të Kosovës. Ndërkohë pas përditësimit të rezultateve nga qendrat e numërimit, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me rreth 47% të votave.
Partia që drejtohet nga Albin Kurti ka fituar edhe një mandat duke e çuar në 53 numrin e deputetëve në Kuvendin e ri Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka humbur një mandat, duke rënë në 18 deputetë. Partia Demokratike ka ruajtur 22 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deri tani ka 7 deputetë.
Ndërsa rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mbetet i hapur, KQZ beri me dije se ka nisur numërimin e fletëve nga votimi me kusht i zhvilluar 52 vendvotime dhe po ashtu ka filluar edhe numërimi i fletëve nga procesi i votimit të personave me nevoja të veçanta, i realizuar jashtë vendvotimeve.
KQZ ka planifikuar që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 26 qershor dhe t’i certifikojë deri më 6 korrik, por ecuria e procesit do të varet edhe nga ankesat e partive politike pas numërimit të të gjitha votave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




