Mandati i Stoltenberg mund të zgjatet sërish, aleatët e NATO-s ende asnjë konsensus për pasardhësin e tij

Botë | 3 vite më parë

Mandati i sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg mund të zgjatet sërish, teksa vendet anëtare ende nuk kanë rënë dakord për një kandidat tjetër për ta zëvendësuar atë.

Stoltenberg, një ish-kryeministër norvegjez, ka qenë zyrtari më i lartë civil i NATO-s që nga viti 2014 dhe pas 9 vitesh në krye të organizatës më të madhe të sigurisë në botë, mandati i tij është zgjatur dy herë. Herën e fundit ndodhi për shkak të luftës që Rusia nisi në Ukrainë, ku në krye të NATO-s u kërkua të mbahej “një dorë të qëndrueshme”.

Gjatë takimit që Stoltenberg zhvilloi me presidentin e SHBA-së Joe Biden më 13 qershor, u diskutua edhe për pasardhësin e tij, por duket se vendet anëtarë të NATO-s ende nuk kanë një emër konsensual.

Sipas një zyrtari amerikan thuhet se “Biden i tha sekretarit të përgjithshëm të NATO-s se po bëhet gjithnjë e më e dukshme se nuk do të ketë konsensus midis aleatëve të NATO-s për zgjedhjen e një lideri të ri dhe i bëri të qartë Stoltenberg se do ta mirëpriste që ai të qëndrojë më gjatë, veçanërisht kur Europa po përballet me luftën në Ukrainë dhe sfidat e anëtarësimit të Suedisë në Aleancë”, raporton Washington Post.

“Presidenti Biden mendon se Stoltenberg ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke udhëhequr aleancën gjatë pushtimit të Rusisë dhe ka treguar se është një udhëheqës shumë efektiv ”, tha zyrtari amerikan në kushtet e anonimatit.  

I pyetur nga gazetarët se çfarë do të ndodhte me atë ardhmen e tij në krye të NATO-s, Stoltenberg tha se ai nuk kërkonte një zgjatje tjetër të mandatit të tij, por se kjo varej nga 31 vendet aleate të Aleancës.

“Unë kam deklaruar vazhdimisht se nuk kërkoj një zgjatje. Nuk kam plane të tjera veçse të përfundoj punën time këtu, kur mandati im të përfundojë këtë vjeshtë. Unë jam përgjegjës për të gjitha vendimet që kjo aleancë duhet të marrë, përveç njërit. Dhe kjo ka të bëjë me të ardhmen time. I takon 31 aleatëve për të vendosur”, tha Stoltenberg

SHBA dhe homologët e tij të NATO-s do të diskutojnë për një pasardhës të Aleancës gjatë samitit të Vilnius, Lituani, më 11-12 korrik.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme