Manovra të rrezikshme në det, bllokohet një Jet Ski në Himarë, drejtuesi gjobitet me 10 mijë lekë

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokuar një mjet lundrues Jet Ski në Gjirin e Livadhit, në Himarë, pasi drejtuesi i tij kreu manovra të rrezikshme pranë perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit.
Sipas Policisë, shërbimet u njoftuan nga qytetarët që ndodheshin në plazh se një Jet Ski po lëvizte në mënyrë të rrezikshme pranë zonës së dedikuar për pushuesit. Mjeti u identifikua menjëherë nga patrullat e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale A. L., banues në Tiranë, ishte denoncuar edhe në rrjetet sociale.
Gjatë kontrollit, policia konstatoi se drejtuesi nuk kishte në bord dokumentacionin e detyrueshëm. Për këtë shkelje ai u ndëshkua me gjobë prej 10 mijë lekësh, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia Kufitare bën të ditur se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me synim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




