Mbetjet mortore në veri, Kurti: Serbia të hapë arkivat – mbi 12 mijë viktima të dokumentuara
Dyshimet pas gjetjes së mbetjeve mortore në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, janë se mund t’u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica të zhdukur në 1999-n.
Kështu deklaroi kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti gjatë një konference mbi viktimat e luftës.
“Duhet të presim organet tona që të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje, por duket që kemi një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, që është një komunë në veri të Ibrit, që ka qenë zonë e pashqyrtuar më herët, pra bëhet fjalë për një territor të paprekur prej gërmimeve.”
Gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut u gjetën mbetje mortore dhe veshmbathje, që dyshohet se u përkasin grupit të intelektualëve, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar lidhur me zhdukjen e tyre. Kurti foli edhe për viktimat e luftës ndërsa i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të ushtrojë trysni ndaj Serbisë që të hapë arkivat e ushtrisë.
“1 janar 1998 – 29 qershor 1999 janë dokumetuar 12 mijë e 230 viktima të luftës, …raporti dokumenton se nga 0-17 vjeç janë mbi 1 mijë të vrarë… U bëj thirrje ndërkombëtarëve të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që të ndryshojë vendimin për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve deri në vitin 2044 dhe të hapen arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, në mënyrë që të sigurohen informacione për fatin e personave të zhdukur në Kosovë.”
Kurti u kërkoi gjithashtu qytetarëve dhe organizatave që mund të kenë dëshmi të bashkëpunojnë me Institutin për krimet e Kryera jgatë Luftës në Kosovë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




