Mbyllen aplikimet për Festivalin e Këngës 65 në RTSH

Aktualitet | 1 orë më parë

Është mbyllur thirrja për aplikime për edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Artistët, kompozitorët dhe krijuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora patën gjashtë ditë kohë, nga 22 deri më 27 shtator, për të dorëzuar këngët e tyre për të qenë pjesë e “Fest 65”.

Thirrja iu drejtua krijuesve dhe interpretuesve të muzikës së lehtë shqiptare, ndërsa këngët e paraqitura duhet të plotësonin kriteret e përcaktuara në rregulloren e festivalit. I gjithë procesi i aplikimit është kryer online, nëpërmjet formularëve të posaçëm në uebfaqen zyrtare të Festivalit.

Sipas rregullores, kënga konkurruese duhet të jetë në gjuhën shqipe, të mos jetë më e gjatë se katër minuta dhe të jetë një krijim origjinal. Gjithashtu, kënga nuk duhet të jetë publikuar më parë në asnjë formë dhe nuk lejohet përdorimi i Inteligjencës Artificiale (AI) në krijimin e saj.

Në garë mund të marrin pjesë artistë shqiptarë me krijime të reja, ndërsa interpretuesit duhet të jenë mbi 18 vjeç. Çdo këngëtar mund të konkurrojë vetëm me një këngë.

Pas përfundimit të aplikimeve, pritet të nisë procesi i shqyrtimit dhe përzgjedhjes së këngëve dhe artistëve që do të marrin pjesë në edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës.

“Fest 65” do të zhvillohet në muajin dhjetor, duke vijuar traditën e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme