Media spanjolle rekomandon Shqipërinë si destinacion turistik për vitin 2026

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të rekomanduara turistike në Evropë.
Media spanjolle “The Officer” i ka kushtuar një artikull të veçantë vendit tonë, duke e renditur atë mes destinacioneve kryesore për udhëtime në vitin 2026.
Në artikullin e tij, gazetari Gabriel Echeverría u bën thirrje udhëtarëve të harrojnë destinacionet tradicionale turistike dhe të kërkojnë atë që ai e quan “luksi i autenticitetit”, qetësi, përvoja të vërteta dhe vende ende të paprekura nga turizmi masiv.
“Nëse hapni Instagramin ose TikTok-un, do ta keni parë. Shqipëria është shndërruar nga një sekret në obsesionin e Evropës. Dhe kjo ka kuptim të plotë. Imagjinoni ujërat bruz të Greqisë dhe vijën bregdetare të thyer të Italisë, por me gjysmën e çmimit dhe me një pjesë të vogël të turmave. Vende si Ksamili ose Dhërmiu ofrojnë atë verë mesdhetare të viteve ’90: të egër, hedoniste dhe të thjeshtë.
Fluturoni për në Tiranë (një kryeqytet i gjallë dhe kaotik që do t’ju habisë) dhe udhëtoni drejt jugut. Flini në hotele butike me pamje nga deti Jon dhe hani ushqime të freskëta deti duke paguar në lekë . Nxitoni, sepse deri në vitin 2027 kjo do të jetë e pamundur”, shkruhet në artikull.
Media spanjolle këshillon që udhëtimet në Shqipëri të mos planifikohen gjatë muajit gusht, por në stinët e ndërmjetme, si maj–qershor ose shtator–tetor. “Mot më i mirë, shërbim më i mirë dhe ndjesia e paçmuar e të pasurit qytetin tërësisht për veten tuaj”, thuhet në artikull.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





