Meloni kërkon të regjistrojë zyrtarisht zërin e saj për t’u mbrojtur nga inteligjenca artificiale

Europë | 25 minuta më parë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka ndërmarrë një hap të pazakontë për t’u mbrojtur nga përdorimi i paautorizuar i inteligjencës artificiale, duke paraqitur një kërkesë për regjistrimin e zërit të saj si pronë e mbrojtur.

Sipas mediave italiane, kërkesa është depozituar në Zyrën e Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian (EUIPO) dhe shoqërohet me një regjistrim audio katërsekondësh, ku Meloni dëgjohet duke thënë frazën: “Unë jam Giorgia Meloni”.

Dosja ndodhet aktualisht në proces shqyrtimi. Ajo është paraqitur nëpërmjet një firme ligjore në Romë dhe një kompanie të specializuar në mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Regjistrimi i zërit lidhet me tri kategori shërbimesh: përmbajtje dixhitale të shkarkueshme, aktivitete kulturore dhe organizimin e ngjarjeve politike.

Qëllimi i kësaj nisme është krijimi i një mbrojtjeje shtesë ligjore kundër klonimit të zërit të kryeministres italiane dhe përdorimit të tij në materiale audio apo video të manipuluara me inteligjencë artificiale.

Ekspertët theksojnë se regjistrimi i zërit nuk mund të ndalojë automatikisht krijimin e përmbajtjeve “deepfake”, por mund të forcojë ndjeshëm bazën ligjore për ndërmarrjen e veprimeve kundër personave ose organizatave që përdorin pa leje zërin e saj.

Në vitet e fundit, zhvillimi i shpejtë i teknologjive të inteligjencës artificiale ka shtuar shqetësimet për krijimin e imitimeve tepër realiste të zërit dhe figurës së personave publikë, duke vështirësuar dallimin mes materialeve autentike dhe atyre të manipuluara.

Kjo është hera e parë që një figurë politike italiane ndërmerr një nismë të tillë për mbrojtjen ligjore të zërit të saj.

Megjithatë, veprime të ngjashme janë ndërmarrë më herët nga personalitete të botës së artit. Këngëtarja Giusy Ferreri dhe aktori e dubluesi Luca Ward kanë kërkuar gjithashtu mbrojtje për zërat e tyre karakteristikë, për të shmangur imitimet e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Nisma e Melonit konsiderohet pjesë e një debati gjithnjë e më të gjerë në Evropë mbi mbrojtjen e identitetit dixhital dhe kufizimin e abuzimeve që mund të vijnë nga përdorimi i teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme