Meloni kundër marrëveshjes së Trump për naftën ruse: Rrezikon të legjitimojë Moskën

Botë | 51 minuta më parë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi si shumë të rrezikshme marrëveshjen për naftën ruse të njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se ajo mund të forcojë pozitat e Moskës dhe të dobësojë presionin e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

Gjatë fjalës së saj në Senatin italian, në prag të mbledhjes së Këshillit Evropian më 15 dhe 16 tetor, Meloni tha se rritja e çmimeve të karburanteve lidhet kryesisht me luftën në Iran dhe jo me konfliktin në Ukrainë.

“Rezultati i kësaj zgjedhjeje është i dyshimtë, ndërsa rreziqet janë të qarta: legjitimimi i Moskës, ndërkohë që bombat e saj vazhdojnë të bien mbi qytetet ukrainase, të ardhura të reja për financimin e luftës dhe një dobësim i tërthortë i mekanizmit të sanksioneve”, deklaroi ajo.

Sipas kryeministres italiane, këto pasoja nuk mund të shpërfillen, pasi bien ndesh me përpjekjet e deritanishme të vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për ta detyruar presidentin rus Vladimir Putin të ulet në tryezën e negociatave.

Meloni mbrojti gjithashtu rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë, duke hedhur poshtë pretendimet se fondet shtesë do të merren nga shëndetësia apo arsimi.

“Fleksibiliteti më i madh për mbrojtjen dhe sigurinë nënkupton, në thelb, burime shtesë përtej atyre që lejohen nga parametrat evropianë. Nuk janë para që hiqen nga shëndetësia apo shkollat. Nëse nuk do t’i shpenzonim për mbrojtjen, nuk do të mund t’i përdornim për diçka tjetër”, u shpreh ajo.

“Kush pretendon se më shumë siguri do të thotë më pak spitale dhe më pak burime për shërbimet thelbësore, duke e paraqitur qeverinë si një qeveri nxitësish të luftës, gënjen me vetëdije”, vijoi Meloni.

Ajo kritikoi edhe kundërshtarët politikë që, sipas saj, e akuzojnë sot qeverinë për militarizim, ndërsa kur ishin në pushtet, gjatë pandemisë, miratuan një rritje të shpenzimeve ushtarake me rreth 15 miliardë euro. Në atë kohë, siç theksoi ajo, lufta në Ukrainë ende nuk kishte nisur.

Duke folur për luftën në Ukrainë, kryeministrja italiane tha se zhvillimet në terren nuk mbështesin propagandën e Kremlinit. Sipas saj, që nga fillimi i vitit, Rusia ka fituar shumë pak territor dhe gjatë muajit shtator ka humbur një pjesë të konsiderueshme të zonave që kishte marrë më parë.

Meloni ia atribuoi këtë rezultat rezistencës ukrainase dhe mbështetjes perëndimore, të cilën e konsideroi një nga mjetet për ta çuar Moskën drejt negociatave serioze.
“Askush në këtë sallë nuk e dëshiron luftën. Të gjithë duam që të arrihet paqja. Dallimi qëndron te mënyra se si mendojmë se mund të arrihet ajo”, deklaroi kryeministrja.

Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe po veprojnë përmes formatit E3, duke thënë se, nëse këto vende besojnë se mund të arrijnë rezultate më të mira të vetme, duhet ta bëjnë këtë me një mandat zyrtar në emër të të gjitha vendeve evropiane.

Meloni kërkoi që 27 shtetet anëtare të BE-së të gjejnë një figurë të besueshme, me mandat të përbashkët, e cila të përfaqësojë Evropën në negociatat për paqen në Ukrainë. Nëse nuk arrihet konsensus për një emër, ajo tha se Italia është e gatshme të shqyrtojë edhe alternativa të tjera.

Sa i përket situatës në Lindjen e Mesme, Meloni deklaroi se Italia mbështet arritjen e një paqeje të qëndrueshme mes Izraelit dhe Libanit. Ajo tha se Roma ka pritur disa raunde negociatash dhe është e gatshme ta bëjë sërish.

Kryeministrja italiane shprehu bindjen se udhëheqja libaneze është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje të drejtë dhe afatgjatë me Izraelin. Italia, sipas saj, është e gatshme ta mbështesë këtë proces edhe përmes një nisme të përbashkët me Francën, pas përfundimit të misionit UNIFIL, për të forcuar kapacitetet e ushtrisë libaneze dhe për të garantuar sovranitetin e vendit në të gjithë territorin e tij, raporton TgCom24.

Meloni kërkoi gjithashtu një angazhim më të madh të Evropës për forcimin e misionit detar Aspides, të drejtuar nga Italia.

“Nevojiten më shumë anije dhe ato nevojiten tani”, theksoi ajo, duke nënvizuar rëndësinë e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe në Bab el-Mandeb, të cilat i cilësoi si interesa jetike për Evropën.

Situata në Iran dhe në Gjirin Persik do të jetë gjithashtu një nga temat e diskutimit në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian.

Në lidhje me buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të Bashkimit Evropian, Meloni paralajmëroi se Italia nuk do të pranojë një marrëveshje vetëm për të respektuar afatet kohore.

“Data nuk mund të jetë më e rëndësishme se përmbajtja. Ne nuk do të nënshkruajmë një marrëveshje që nuk është e favorshme për të respektuar një afat. Do të firmosim vetëm kur marrëveshja të jetë e drejtë për Italinë”, deklaroi ajo.

Kryeministrja shprehu rezerva për burimet e reja të të ardhurave të propozuara nga Komisioni Evropian, duke kërkuar që barra mbi buxhetet kombëtare të lehtësohet sa më shumë, pa vendosur taksa të reja.

Ajo propozoi gjithashtu që të shqyrtohet një shlyerje më graduale e borxhit të krijuar nga programi Next Generation EU, në mënyrë që pagesat të mos kufizojnë financimin e politikave të tjera evropiane në një kohë kur nevojiten më shumë investime.

Sipas Melonit, në diskutimin për prioritetet strategjike të BE-së nuk duhet të përjashtohet paraprakisht asnjë instrument financiar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme