Merr flakë një cisterne karburanti pranë Kajros, të paktën 31 viktima

Të paktën 31 persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë plagosur pas një zjarri masiv të shkaktuar nga aksidenti i një kamioni cisternë që transportonte produkte nafte, pranë kryeqytetit egjiptian, Kajro.
Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën, ku cisterna doli nga rruga dhe u përplas, duke shkaktuar shpërthimin e një zjarri me përmasa të mëdha.
Flakët u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë edhe automjete të tjera që ndodheshin në zonë. Sipas vlerësimeve paraprake të prokurorisë, 27 automjete, mes tyre makina dhe motoçikleta, u shkatërruan nga zjarri.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje u dërguan 39 ambulanca, ndërsa të plagosurit u transportuan në tre spitale për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Prokuroria egjiptiane ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe rrethanat që çuan në zjarrin masiv. Për dy viktima, identiteti i të cilëve ende nuk është përcaktuar, janë urdhëruar edhe analiza të ADN-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




