Ministri i Jashtëm kinez takohet me ambasadorin e SHBA: Stabilizimi i marrëdhënieve të tensionuara, prioritet

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang u shpreh këtë të hënë se është e domosdoshme që të stabilizohen marrëdhëniet e tensionuara mes vendit të tij dhe SHBA-së.
Gjatë një takimi në Pekin me ambasadorin amerikan, Nicholas Burns, Qin thekson në veçanti se SHBA duhet të korrigjonte mënyrën se si adresonte çështjen e Tajvanit dhe të ndalte mosrespektimin e parimit të një Kine.
Marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës u tensionuan së tepërmi vitin e shkuar kur kryetarja e Dhomës Amerikane të përfaqësueve Nancy Pelosi zhvilloi një vizitë në ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit, duke zemëruar Kinën, e cila pretendon se ishulli është territori i saj.
Në kundërpërgjigje Pekini ndërpreu kanalet zyrtare të komunikimit në SHBA-në përfshi ato mes ushtrive të tyre.
“Prioritet kryesor është stabilizimi i marrëdhënieve sino-amerikane, duke shmangur përkeqësimin e tyre dhe duke parandaluar ndonjë aksident të mundshëm mes Kinës dhe ShBA-së, – raportohet t’i ketë thënë ministri i Jashtëm kinez ambasadorit amerikan.
Tensionet mes dy vendeve u zbutën disi nëntorin e shkuar kur presidenti amerikan Joe Biden u takua me homologun kinez Xi Jinping gjatë samitit të G20-ës që u mbajt në Indonezi dhe u zotuan për më shumë dialog.
Por ato u ndezën sërish në muajin shkurt të këtij viti kur një balonë kineze u shfaq në hapësirën ajrore amerikane dhe në kundërpërgjigje sekretari amerikan i shteti Antony Blinken anuloi një vizitë që do të zhvillonte në Pekin.
Që atëherë, një sërë fjalësh dhe veprash të gabuara nga SHBA kanë minuar vrullin pozitiv që mezi u arrit në marrëdhëniet mes dy vendeve. Axhenda e dialogut dhe bashkëpunimit për të cilën kishin rënë dakord të ty palët u ndërpre dhe marrëdhëniet u ftohën sërish, tha Qin.
Edhe Ambasadori amerikan Burns në një postim në Twitter, bëri të ditur se me ministrin e Jashtëm kinez kishte folur edhe për nevojën për të stabilizuar lidhjet mes dy vendeve.
Tajvani ndërkohë vijon të jetë molla e sherrit mes dy tyre. Muajin e shkuar Kina zhvilloi stërvitje përreth Tajvanit pasi presidentja e ishullit Tsai Ing-wen u takua në Kaliforni me kreun aktual të dhomës së përfaqësueve Kevin McCarthy.
Që nga viti 1979, marrëdhënia mes SHBA-së dhe Tajvanit është drejtuar përmes Aktit të marrëdhënieve me Tajvanin, që siguron bazë ligjore për të furnizuar Tajvanin me mjete për të mbrojur veten, por ndërkohë nuk parashikon që SHBA mund t’i shkojë në ndihmë ishullit nëse ky i fundit sulmohet.
Ndërkaq si pjesë e buxhetit të 2023-it, Kongresi amerikan ka autorizuar një paketë ndihmash në armë me vlerën e 1 miliard dollarëve për Tajvanin.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




