Ministria e Mbrojtjes: Raportohen 25 vatra zjarri, 10 vijojnë të jenë aktive

Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 25 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 10 mbeten ende aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefekturat, njësitë e qeverisjes vendore dhe Forcat e Armatosura, janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Në mbështetje të këtyre operacioneve janë përfshirë edhe 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor”, si dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së me personelin përkatës.
Në zonën e Dajtit vijon operacioni i shuarjes nga toka dhe ajri, pa rrezik për zonat e banuara. Në fshatin Priskë të bashkisë Tiranë vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në sipërfaqe pyjore, gjithashtu pa rrezik për zonat e banuara.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan të bashkisë Mallakastër zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave nga toka dhe ajri.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur në malin e Valamarës; vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren 2 të bashkisë Berat është riaktivizuar një vatër zjarri, ku forcat zjarrfikëse po punojnë intensisht për shuarjen e saj. Zjarret në Floq të bashkisë Korçë dhe në Shpërdhet–Drojë të bashkisë Kurbin janë shuar plotësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe koordinimin e të gjitha ndërhyrjeve në shkallë kombëtare.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë masat e parandalimit të zjarreve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




