Përdorimi i drogave te fëmijët – Ulet mosha e përdoruesve, mjekët thirrje prindërve

Shëndet | 1 vit më parë

Drogat tani nuk po kursejnë as fëmijët.

Shefi i shërbimit të toksikologjisë në QSUT, Andrin Tahiri, shprehet i shqetësuar për uljen e moshës së përdorimit të drogave, duke e përkufizuar këtë si një kërkesë të të vegjëlve për të krijuar “gjendje”.

“Ajo që na shqetëson është fakti që është ulur mosha e eksperimentimit me drogat, sidomos me marijuhanën, që është droga me e lirë në treg. Nuk është trend, por mosha është shqetësuese dhe më shqetëson ideja që ata e kërkojnë më shumë për ‘gjendje’, jo se kanë tendencën e abuzimit. Nganjëherë më duket sikur ata kërkojnë një ikje nga realiteti i tyre,” thotë Prof. Tahiri.

Dominante në përdorim mbetet: “Abuzimi me kokainën, por këtë e përdorin më shumë atë që kanë buxhet. Në lojë janë edhe shumë droga sintetike, që përdoren kryesisht nëpër festa dhe ‘party’, që janë momentale, por jo që të krijojnë varësi. Komplikacionet janë të rënda, sepse përzihen në kokteje droga me alkool dhe kohëzgjatja e përdorimit mbi dy ditë shton edhe më shumë ndërlikimet.“

Prof. Tahiri thotë se kush është i motivuar dhe bashkëpunon ia del të lirohet nga kthetrat e drogës, por shqetësim mbetet mungesa e një qendre rehabilitimi, e cila kthen në pikën zëro të trajtuarit.

“Përpara se t’i integrojmë në jetën e përditshme është edhe një hallkë që duhet bërë. Pra, në qendrën e rehabilitimit edukohet sjellja ndaj drogës dhe alkoolit. Ka raste që këtu dështojnë dhe detyrohen përsëri të marrin asistencën mjekësore. Ky është ai rreth vicioz,” tregon shefi i shërbimit të toksikologjisë.

Me shumë eksperienca të përjetuara nga pacientët, Dr. Andrini sot iu drejtohet atyre me një thirrje prindi: “Droga nuk ju bën të fortë. Droga nuk ju bën të lirë. Ju vjedh jetën, të ardhmen, kontrollin mbi jetën. Thjesht i thoni jo drogës!“

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme