Moska nuk respekton armëpushimin – Kievi akuzon Rusinë për sulme pas njoftimit të Trump
Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se ndërsa Ukraina ka ndalur sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës gjatë dy ditëve të fundit pas njoftimit të presidentit amerikan për një armëpushimi energjetik mes tyre, Moska nuk e mori parasysh thirrjen e Trumpit.
“Gjatë kësaj kohe, rusët kanë sulmuar si objektet tona energjetike ashtu edhe infrastrukturën tonë kritike, duke dërguar sinjale absolutisht të qarta se nuk kanë ndërmend të ndalin sulmet ndaj Ukrainës. 19 rajone të vendit tonë u sulmuan vetëm gjatë dy ditëve të fundit.”- tha presidenti ukrainas, ndersa pretendoi se në sulmet gjatë natës, Rusia përdori më shumë se njëqind lloje armatimi nga dronët reaktivë deri tek raketat balistike.
Zelensky përsëriti se qëndrimi i Kievit mbetet i pandryshuar. “Ukraina është gati për hapa reciprokë drejt uljes së tensioneve dhe nevojitet presion efektiv mbi Rusinë që të ndodhë ky shtensionim. Luftërat mbarojnë kur agresori e kupton se nuk mund ta zgjasë luftën.” – tha Zelensky duke shtuar se presioni global mbi Rusinë kontribuon pikërisht për arritjen e paqes.
“Por mbështetja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë për Rusinë dhe ngadalësimi i ndihmës për Ukrainën sigurisht që nuk ndihmon në sjelljen e paqes. Të gjithë kanë nevojë për paqe. Nevojitet një Amerikë e fortë, një Evropë e fortë dhe partnerë të fortë.”- nënvizoi presidenti ukrainas.
Presidenti Trump njoftoi të dielën se Rusia dhe Ukraina kanë arritur armëpushim ndaj infrastrukturës energjetike, por Moska ende nuk e ka konfirmuar një marrëveshje të tillë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




